Masakra në Burgun e Dubravës, Dugolli merr përgjigje nga Prokuroria Speciale për hetim

Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, ka njoftuar se ka marrë letër nga Prokuroria e Specializuar.

Sipas tij, Prokuroria e ka njoftuar se do ta shqyrtojë kërkesën e tij lidhur me incimin e hetimeve për masakrën e Burgut të Dubravës.

Dugolli kërkuar nga Prokuroria e Specializuar që të hetojët krimet serbe të kryera në Burgun e Dubravës.

“Dua t’ju informoj se kam pranuar një letër nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. Letra konfirmon se Prokuroria ka marrë shkresën që i kam dërguar me postë më 29 prill, në të cilën kërkova nisjen e hetimeve të krimeve të kryera gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të masakrës së Burgut të Dubravës. Letra e Prokurorisë po ashtu njofton se kërkesa ime do të shqyrtohet nga ana e tyre”.

“Ju falemnderit të gjithëve për mbështetjen tuaj. Mbetem me shpresë se Prokuroria e Specializuar do t’i japë fund pandëshkueshmërisë së autoriteteve të larta të Serbisë për këto krime monstruoze, si dhe ta shfrytëzojë këtë rast për të sqaruar përfundimisht nëse Gjykata Speciale është, apo s’është, gjykatë një-etnike”, njofton më tej Dugolli.

Më herët kishte thënë se në bazë të argumenteve të parashtruara me këtë shkresë, nuk mbetet më asnjë dyshim: prokuroi i specializuar ka juridiksion të plotë për ta hetuar këtë rast.

Dugolli i cili është një nga të mbijetuarit nga kjo masakër, në maj të këtij viti kishte deponuar dëshmi në Gjykatën Speciale dhe kërkesë për hetime te Prokurori i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.