Behramaj: Është tejet e çuditshme se si Osmani e Kurti u munduan ta heshtin Simmons

Ish këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj, ka kritikuar atë që e quajti ai si ‘’izolim dhe heshtje’’ për ish gjyqtarin e EULEX, Malcolm Simmons, nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Behramaj, përmes një postimi në Facebook tha se është e çuditshme tendenca për heshtjen dhe izolimin e gjyqtarit Simmons, derisa shtoi se as nuk kishin interesim ta dëgjonin.

‘’ Nëse helbete sot e kanë dëgjuar, sigurisht u është kujtuar që në ato karrige janë ulur vetëm pasi që administratorët ndërkombëtarë të padrejtësive ua fabrikuan themeluesve të UÇK-së dhe të Republikës së Kosovës edhe një aktakuzë në emër të një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që këtij populli ia solli lirinë dhe pavarësinë’’, shkroi Behramaj.

Tutje, ai shtoi se Kurti e Osmani vazhdojnë t’i shohin si shpresë Gjykatën Speciale dhe EULEX’in për të qëndruar në pushtet.

Ky është postimi i plotë:

‘’ “Sundimin e ligjit” e kanë prioritet jo vetëm bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, por deklarativisht edhe Kurti e Osmani. Megjithatë, tejet e çuditshme është qysh u munduan ta izolojnë dhe heshtin Malcolm Simmonsin, ish kryegjykatësin e EULEX-it. Ai, brutalisht, sot tregoi për fabrikimet politike në emër të drejtësisë që i ka bërë EULEX-i në Kosovë, përkundër që Kurti e Osmani as që kishin treguar interesim ta dëgjonin. Nëse helbete sot e kanë dëgjuar, sigurisht u është kujtuar që në ato karrige janë ulur vetëm pasi që administratorët ndërkombëtarë të padrejtësive ua fabrikuan themeluesve të UÇK-së dhe të Republikës së Kosovës edhe një aktakuzë në emër të një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që këtij populli ia solli lirinë dhe pavarësinë.

Kurti e Osmani, Gjykatën Speciale dhe EULEX-in vazhdojnë t’i shohin si shpresë për të qëndruar në pushtet, sepse thellësisht janë të vetëdijshëm që fitorja e tyre ishte si fitore në tavolinë, pa konkurrencë, pasi që tjetërkush u përkujdes ta eliminonte politikisht atë që në terren dhe tavolinë i kishte lodhur me fitore!’’