Bekim Haxhiu thirrje deputetëve të shumicës që ta votojnë Trustin

Bekim Haxhiu pret që Projektligji për Trustin të kalojë të enjten në Kuvend në lexim të parë.

Deputeti i PDK-së, pritshmërinë e tij, e lidh me situatën e rëndë ekonomike në të cilën sipas tij po kalojnë kosovarët.

“Pres të votohet në veçanti pas krizës së madhe ekonomike, ngritjes së inflacionit”.

Kjo s`mund të bëhet pa votat e shumicës, andaj ky shpreson që deputetë të caktuar të VV-së të përkrahin nismën që lejon tërheqjen e një pjese të kursimeve pensionale, ndryshe nga siç vepruan në qershor të 2022-ës kur e kundërshtuan nismën e PDK-së.

“Shpresoj që kësaj radhe deputetët e mazhorancës të reflektojnë meqë inicitava është nga qytetarët dhe jo nga ndonjë parti”, tha Haxhiu për “Front Online”.

Mjaftojnë votat e shumicës së thjeshtë prezente që Projektligji të marrë aminin.

“61 deputetë duhet të jenë prezentë, të marrin pjesë në votim, e pastaj shumica e thjeshtë e deputetëve të pranishëm, diku 31, duhen që me kalu Projektligji”, theksoi deputeti Haxhiu për “Front Online”.

Trusti s`kaloi njëherë në Kuvend

PDK, përmes deputetit Bekim Haxhiu, kishte propozuar tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale.

Projektligji nuk mori votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në qershor.

U votua pos nga 44 ligjvënës, teksa u kundërshtua nga 57 të tjerë e abstenua nga një.

Përplasja Kurti – Haxhiu

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiu ishin përplasur me njëri-tjetrin lidhur me inicimin e projektligjit për Trustin.

Kurti pati thënë se nuk e ka ditur që propozuesi i këtij projektligji është fizioterapisti me doktoraturë.

“Nevojitet doktoratura PHD, për një fizioterapoistë që të propozoj diçka kaq të madhe në ekonomi. Nuk ka shpjegim tjetër, vetëm një doktoraturë në fizioterapi ta sjell vetëbesimin e nevojshëm që të bësh këso propozime në ekonomi e në financa të vendit”, tha Kurti.

Deputeti Bekim Haxhiu ka thënë se si një deputet me përvojë në 5 mandate këtë të drejtë ia garanton Kushtetuta dhe rregullorja e punës së Kuvendit.

Haxhiu ka përmendur edhe pjesë të aspektit profesional.

“Duket që nëse kështu vazhdon me qëndruar në zyre e mos mi dëgju kërkesat e qytetarëve ke me pas nevojë edhe për fizioterapi jam i gatshëm me të trajtuar pa pare për atë punë sa herë që ki nevojë”, tha Haxhiu.

Ndërkaq Kurti tha se do ta dëgjoj deputetin Haxhiu me respekt në seancë kur të flet për nismën për masazh.

Rreth 600 milionë

Drejtori i Trustit, Adrian Zalli, pati thënë se nëse projektligji kalon në Kuvend, rreth 600 milionë euro do të tërhiqen.

“Prej shifrave nëse shkohet siç është propozuar në ligj shuma qe do të tërhiqet është mbi 594 milionë euro nëse të gjithë i tërheqin, nëse marrim praktikën se sa i kanë tërhequr herën e kaluar është 95 për qind. Është e pritshme që e njëjta të tërhiqet rreth 600 milionë euro”, ka theksuar Zalli.