Bekim Jashari: KQZ-ja, PZAP-ja dhe Gjykata Supreme heshtën para manipulimeve

Kryetari aktual i Skenderajt, Bekim Jashari, ka akuzuar KQZ-në, PZAP-në dhe Gjykatën Supreme se heshtën para manipulimeve dhe certifikuan rezultatet përfundimtare “me gjithë parregullësitë e ndodhura” në këtë komunë.

Ai tha se këto institucione nuk u morën fare me pasojat e shkeljeve.

“Blerja e votave, presioni i zyrtarëve të caktuar politikë mbi votuesit dhe manipulimi i procesit zgjedhor përmes sistemit të “trenit bullgar” për këto institucione në fjalë ishte normale dhe ju e dini përse”.

“Garën për kryetar të Skenderajt nuk e kam parë asnjëherë si luftë për pushtet por si një mundësi më shumë për të vazhduar t’i shërbej vendit tim, ashtu siç i kam shërbyer këto 4 vite duke dhënë maksimumin tim në realizimin e qindra projekteve të cilat kanë përmirësuar jetën e qytetarëve të Skenderajt”.

“Jam i lumtur që gjatë kësaj kohe realizuam një fushatë të pastër dhe shembull, duke kërkuar besimin qytetar me program zgjedhor, me projekte dhe plane konkrete, me prezantimin e qeverisjes sonë transparente 4 vjeçare dhe projektet e reformat e realizuara, duke i lënë kështu qytetarët të vendosin lirshëm, në menyrë demokratike”.

Jashari përmes një postimi në Facebook ka thënë se vullneti i qytetarëve u deformua dhe manipulua pa kursyer asgjë, “asnjë mjet joligjor dhe joetik, vetëm e vetëm për të arritur qëllimin e tyre”.

“Pavarësisht presioneve, shantazheve, kërcënimeve e blerjes së votës ishin 9236 qytetarë (40% e atyre që kanë votuar me 17 tetor) të vendosur që qëndruan të pa lëkundur në rrugën e idealit tonë të përbashkët. Përkrahja e këtyre qytetarëve na mundësoi që në kuvendin komunal të Skenderajt të kemi 10 asambleistë të cilët do t’i përfaqësojnë denjësisht qytetarët dhe interesat e tyre të përgjithshme”.

Duke falënderuar qytetarët, ai tha se përkrahja e tyre është më e madhe se rezultati i “zgjedhjeve të manipuluara dhe pa legjitimitet”.

“Përkushtimi im maksimal për t’i shërbyer vendit tim dhe qytetarëve nuk do të ndalet asnjëherë, ai do të vazhdojë deri në frymen e fundit, në jetësim të idealit tonë shekullor dhe amanetit të dëshmorëve e martirëve të Lirisë”.