Sherifi: Kërkesa për shkarkimin e Gashit nga Kurti është kërkesë e drejtë në adresë të gabuar

Sekretari i Përgjithshëm i Nismës, Bilall Sherifi, ka thënë se kërkesa për shkarkimin e Shkëlzen Gashit nga Albin Kurti është kërkesë e drejtë në adresë të gabuar.

Sherifi thotë se për të shkarkuar dikë nga posti i këshilltarit për shkak të përmbajtjes së një deklarate, duhet që paraprakisht të mos ndash të njëjtin qëndrim me të!

“Kërkesa e tillë lë të nënkuptohet se gjoja Albin Kurti nuk i ka ditur pikëpamjet politike të atij që e ka caktuar si këshilltar të vetin politik, përderisa Shkëlzen Gashi të njëjtat gjëra është duke i përsëritur qe 5 vjet rresht”, ka shkruar ndër të tjera ai në “Facebook”.

Postimi i plotë:

Kërkesa për shkarkimin e Shkëlzen Gashit nga Albin Kurti është kërkesë e drejtë në adresë të gabuar!

Deklarata e këshilltarit të Albin Kurtit Shkëlzen Gashi se UÇK ka kryer krime dhe duhet dënuar, ka zgjuar reagime të shumta kundër tij. Emëruesi i përbashkët i këtyre reagimeve është kërkesa drejtuar Kurtit për shkarkim të menjëhershëm të tij!

Pajtohem plotësisht se një person i cili me fjalët e sajuara nga Shërbimi Sekret Serb akuzon UÇK-në për vrasjen e 1000 civilëve serbë nuk meriton të jetë këshilltar i asnjë personaliteti që bart funksione të larta shtetërore. Mirëpo, kërkesat publike të qytetarëve të Kosovës për shkarkimin e Shkëlzen Gashit nga ana e Albin Kurtit është kërkesë e drejtë, në adresë të gabuar!

Për të shkarkuar dikë nga posti i këshilltarit për shkak të përmbajtjes së një deklarate, duhet që paraprakisht të mos ndash të njëjtin qëndrim me të!

Kërkesa e tillë lë të nënkuptohet se gjoja Albin Kurti nuk i ka ditur pikëpamjet politike të atij që e ka caktuar si këshilltar të vetin politik, përderisa Shkëlzen Gashi të njëjtat gjëra është duke i përsëritur qe 5 vjet rresht!