Beteja për kryeqytetin: Në Kiev shpallet shtetrrethimi 35-orësh

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, ka njoftuar se do të vendoset një shtetrrethim nga sot deri të enjten në mëngjes, pas bombardimeve të vazhdueshme nga forcat ruse.

“Është e ndaluar të lëvizësh nëpër qytet pa leje të posaçme, përveçse të shkosh në strehimoret e bombave”, ka thënë Klitschko.

“Kryeqyteti është zemra e Ukrainës dhe do të mbrohet. Kievi, i cili aktualisht është simboli dhe baza e funksionimit përpara të lirisë dhe sigurisë së Evropës, nuk do të jepet nga ne”, ka shtuar Klitschko.

Bombardimet kanë vazhduar edhe gjatë orëve të para të së martës, derisa dy persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e sulmeve me raketa mbi dy ndërtesa banimi.

Ndërsa, 35 persona të tjerë janë shpëtuar, shkruan BBC.

Administrata e qytetit të Kievit e ka përpiluar një listë të ndërtesave në kryeqytetin ukrainas që janë dëmtuar nga bombardimet gjatë natës:

Dy ndërtesa banimi me nëntë dhe 16 kate në rrethin Sviatoshynskyi;

Një ndërtesë banimi dhjetëkatëshe në rrethin Podilskyi;

Një shtëpi në sektorin privat të rrethit Darnytskyi;

Pjesë e stacionit të metrosë Lukyanivska, linja e metrosë është ende në punë.