Betejë imamësh, Prokuroria merr në pyetje Gogën, Arifajn e Hoxhën për shkak të suspendimit të Zuhdi Hajzerit

Dy ditë mungesë në punë, për imamin nga Peja, Zuhdi Hajzeri bënë që ky i fundit të mbesë tash e sa muaj i suspenduar.

Me 1 prill të këtij viti të njejtit iu vendos kjo masë, e tash të vetmen zgjidhje po e mendon largimin nga Kosova. Hajzeri po pretendon se i papunë ka mbetur shkaku i një dokumenti që kanë falsifikuar kryeimami i Pejës, Enes Goga, kryetari i Bashkësisë Islame në Pejë, Musli Arifaj e sekretari Fuad Hoxhaj, e për këtë çështje është drejtuar në prokurori. Gazeta Express ka biseduar me Hajzerin, derisa prokuroria ka konfirmuar këto dyshime e se të tre këta janë intervistuar.

Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar për Gazetën Express se krye imami Enes Goga, Kryetari i Bashkësisë Islame në Pejë, Musli Arifaj e sekretari i BIK-ut në këtë komunë, Fuad Hoxhaj po hetohen nën dyshimet për falsifikim të dokumenteve.

“Prokuroria Themelore e Pejës ka pranuar kallëzim penal ndaj tre personave, M.A., E.G., F.H.,. Në ketë fazë jemi në grumbullimin e informatave, për çka prokurori i çështjes ka autorizuar policinë e Kosovës për t’i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme, për t’u vërtetuar pretendimet e parashtruesit të kallëzimit penale se a kemi të bëjmë me ndonjë vepre penale”, janë deklaruar sot gjatë ditës nga Prokuroria e Pejës.

Intervistimi i të treve erdhi pas një kallëzimi penal që u bë nën pretendimet se këta persona kanë kryer falsifikim të dokumentit që po e mban të suspenduar tash e sa muaj imamin Zuhdi Hajzeri.

Në një prononcim për Gazetën Express, imami Zuhdi Hajzeri që ka dërguar kallëzimin penal po pretendon se këta tre persona, përmes falsifikimit të një dokumenti e kanë vënë në lajthitje.

“Unë kam dërguar në prokurori kallëzim penal për falsifikim të një vendimi të BIK në Pejë përmes tij e kanë mashtruar apo vënë në lajthitje komisionin disiplinor, dhe komisioni duke u bazuar në atë dokument më ka shtuar edhe një pikë dhe më ka suspenduar. Kam konsideruar se s’kanë pas fakte dhe nuk kanë prandaj janë detyruar me ndryshu vendimin dhe me i fsheh datat e një komisioni në Pejë sepse sikur t’i shkruanin do të kuptohej se kanë dështuar me kryerjen e detyrave të tyre”, ka thënë Hajzeri.

“Në prokurori kam dorëzuar edhe incizime të kërcënimeve nga familjarë të Gogës, shantazhe, presione, nga Goga më herët që unë t’i tërhjek kallëzimet penale ndaj personave që më kanë kërcënuar në xhami dhe më herët më kanë detyruar me tërhjekë një kallëzim penal duke më thënë…me tërhjekë kallëzimin penal nëse jo nuk ta vazhdojmë kontratën e punës”, shtoi tutje.

Hajzeri po thotë se e vetmja zgjidhje që ka mbetur për të është ikja nga Kosova. Dokumenti për të cilin ai po pretendon iu është lexuar në komision e aty shkruhet se ka munguar në punë vitin e kaluar dy ditë në shkurt e në prill, pa leje. Për të dy këto ditë i njejti po pretendon se ka pasur leje.
Ky imam po thotë se pret nga prokuroria dhe BIK-u që të marrin masa ndaj këtyre personave, derisa atë e akuzon edhe për themelim të komisionit përndarje të territoreve të xhamive,.

“Nuk pres lavdata nga Goga sepse tani e sa vite unë kam kërcënime edhe atë herë kam bërë ankesa në BIK në Pejë, gjykata e ka dënuar një të afërm të Gogës i cili ka tentuar të më shkelë me kerr e të më mbysë”, ka përfunduar ai.

Sherri në mes të Gogës dhe Hajzerit raportohet të ketë nisur në nëntor të vitit të kaluar, bash për ndarjen e territorit të xhamive dhe përcaktimit të xhematit se cilës xhami i takojnë./GazetaExpress/