Bien çmimet e derivateve të naftës/ Kryetari i Naftëtarëve: Qytetarët të zgjedhin ku është më lirë dhe më mirë

Çmimi i derivateve në bursën ndërkombëtare ka shënuar të hënën ulje.

I njëjti ritëm po vazhdon edhe në Kosovë.

Gjatë kësaj periudhe, çmimet e derivateve sillen rreth 1.26 cent për benzinë dhe 1.34 cent për disel.

Kështu ka bërë të ditur për Front Online kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani.

“Vlera aktuale e çmimit të naftës plus-minus, një litër benzinë sot kushton 1.26 cent e disel kushton 1.34 cent. Këto çmime shihen plus-minus se mund të ketë zbritje më të lartë ose më të ulëta sepse Kosova është treg i hapur i lirë”, tregoi ai.

Berjani thotë se ulja e derivateve në bursën ndërkombëtare po ndikon edhe në Kosovë.

“Uljet e naftës në tregjet ndërkombëtare botërore është normale që ato çmime ndikojnë në Berza, këto çmime janë duke reflektuar edhe tek ne në Kosovë”, theksoi Berjani.

Sipas kreut të Naftëtarëve vlera ideale për gjendjen ekonomike në vend do ishte 1 euro.

“Mbi 700 pika karburanti janë në Kosovë, qytetari mund të zgjedh ku është më mirë dhe lirë. Çmimi real për gjendjen ekonomike në vend kishte me qenë 1 euro, por këtë nuk e vendos as Qeveria, Shoqata e Naftëtarëve por Berza”, ka deklaruar Berjani.

Çmimet e naftës u ulën të hënën pas vendimit për uljen e prodhimit të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatëve të saj, të njohur si OPEC+, dhe pas frikës së kërkesës nga konsumatorët më të mëdhenj të naftës në botë, SHBA dhe Kina.

Gjatë takimit të 36-të ministror të OPEC dhe jo-OPEC të mbajtur të enjten, prodhuesit e OPEC + miratuan vendimet e tyre të mëparshme për uljen e prodhimit, të cilat ishin rënë dakord të zgjateshin deri në fund të vitit të ardhshëm.