Bisedimet Ukrainë-Rusi: Gjashtë pikat që po negociojnë palët

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, i cili po ndërmjetëson bisedimet e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë thotë se të dyja palët janë afër një marrëveshjeje.

Cavusoglu i tha agjencisë së lajmeve AFP se “nuk është një gjë e lehtë të negociosh teksa lufta po vazhdon dhe civilët po vriten”, por ai shtoi se “sheh që palët janë afër një marrëveshjeje”.

Cavusoglu vizitoi Rusinë dhe Ukrainën këtë javë, pasi Turqia ka lidhje të forta me të dy palët.

Ai shtoi se Turqia ishte në kontakt me ekipet negociuese, por refuzoi të fliste për detajet e bisedimeve pasi Turqia luan “një rol të ndershëm ndërmjetësues dhe lehtësues”.

Të dyja palët po negociojnë për 6 pika kyçe:

Neutraliteti i Ukrainës, çarmatimi dhe garancitë e sigurisë, i ashtuquajturi “denazifikimi” i Ukrainës, heqja e pengesave në përdorimin e gjuhës ruse në Ukrainë, statusi i rajonit separatist të Donbasit dhe atatusi i Krimesë i aneksuar nga Rusia në 2014.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha në një video të shtunën se “kjo është koha për t’u takuar, për të biseduar, koha për rinovimin e integritetit territorial dhe drejtësisë për Ukrainën”.