Kurti reagon me një postim – flet për dorëheqjen e Mehajt dhe emërimin e Ministrit të ri

Kryeministri Kurti ka konfirmuar dorëheqjen e Mehajt si ministër i Mbrojtjes dhe emërimin e Ejup Maqedoncit si ministër të ri.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se Mehaj ka kërkuar dorëheqje për shkaqe familjare.

Kurti ka falenderuar Mehajn për “punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës”.

Ndërkaq, Kurti për ministrin e ri të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se i uron punë të mbarë në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë.

Postimi i plotë:

Sot, me kërkesë të ministrit të mbrojtjes, Armend Mehaj, kam pranuar dorëheqjen e tij. Kërkesa për lirim nga detyra vjen për shkaqe familjare. Ministrin Mehaj e falënderova për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës.

Ministër të ri të mbrojtjes emërova Ejup Maqedoncin, me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione tjera. Ministrit Maqedonci i uroj punë të mbarë në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë.

Me këtë rast zhvilluam një takim të përbashkët edhe me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.