Bislimi pas takimit në Bruksel: Drafti është shkruar me kujdes, Kushtetuesja vendos për të

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, është deklaruar për media pas takimit të sotëm në Bruksel.

Kryenegociatori kosovar tha se nuk ka pasur fare nevojë për takim trilateral.

Ai ka folur për draft-statutin e Asociacionit. “Kosova nuk ka pasur ofertë, kemi pasur drafte që kanë qarkulluar. Ne mund të themi se drafti që i është sjellë Kosovës nga miqtë tanë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë përgatitjes të neneve të veta, ka pasur një kujdesë të shtuar për provizionet kushtetuese të Republikës së Kosovës. Është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, këtë e vendos Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës”, tha Bislimi, raporton RTKlive.

Kryenegociatori kosovar mendon se drafti është shkruar me kujdes. “Zoti Kurti ka qenë i gatshëm që në atë moment, kur ky draft të nënshkruhet bashkë me Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin implementues, mund të quhet si i pranuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Bislimi bëri me dije se pa nënshkrimin e Kosovën nuk mund të nis zbatimin e statutit. “Jo nuk mund të nisë, për arsyeje se garanca që kemi një marrëveshje valide, e cila krijon obligime për palën tjetër”, tha ai.

Bislimi ka thënë se Lajçaku mendon se janë shumë afër nënshkrimit të marrëveshjes për energji. E ka dhënë javën e ardhshme, si afat të fundit.

“Kemi diskutuar për çështjen e energjisë. Lajçaku mendon se jemi shumë afër nënshkrimit të marrëveshjes dhe ka sjellë vetëm dy-tri propozim-ndryshime të vogla në kontratën për nënkontraktim mes KEDS-it dhe Elektroserverit. Ne do të japim komentet tona. Java e ardhshme do të jetë e fundit, kur duhet të nënshkruhet kontrata dhe të fillojë zbatimi i saj ”, tha ai.

Bislimi bëri me dije se ka përgëzuar Kosovën për suksesin e konvertimit të targave në RKS të serbëve në veri. Për këtë çështje, Bislimi tha se janë diskutuar vetëm dy-tre hapa shtesë që mund të bëhen për serbët pasi t’i konvertojnë targat, marrjen e patentë-shoferëve dhe hapjen e një autoshkolle në katër qytetet, në veri.

Sipas tij u diskutua për hapat e radhës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. “Kishte shqetësim të vogël për përmbajtjen e formularit që do të përdoret për mbledhjen e nënshkrimeve dhe aty pala kosovare, mund ta akomodojmë kërkesën e BE-së, e cila ishte për të mos vendosur numrin e telefonit aty”, tha Bislimi.