Bixhozi i paligjshëm: Policia me aksion në Prizren, arrestohet pronari i një lokali dhe tre të tjerë

Aktivitetet e organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit në vendin tonë janë të ndaluara me ligj dhe përbëjnë vepër penale, por kjo nuk po i ndalon qytetarët që të veprojnë kundërligjshëm, të cilët po sfidojnë kështu shtetin, raporton Gazeta Sinjali.

Një aksion i Policisë i zhvilluar pas mesnate në Zhur të Prizrenit rezultoi me zbulimin e një lokacioni ku dyshohet se organizoheshin lojëra të fatit, me ç’rast Policia ka kapur në flagrancë pronarin dhe disa persona të tjerë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se bëhej fjalë për një lokal nate, ku pronari i lokalit, bashkë me 3 të dyshuarit e tjerë dyshohet se zhvillonin aktivitete të tilla të paligjshme. Policia fillimisht kishte hasur në rezistencë për të depërtuar brenda, pasi i dyshuari kryesor kishte “blerë” kohë që t’i largonte nga lokali edhe personat e tjerë që ndodheshin aty.

Me rastin e bastisjes, janë sekuestruar një numër i madh i dëshmive, ndërsa personat e dyshuar janë dërguar në stacion policor, ku janë intervistuar nga hetuesit policorë. Ndaj pronarit të shtëpisë është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, kurse personat e tjerë që u kapën janë lënë të lirë.

Kujtojmë se ka pasur shumë raste kohëve të fundit kur Policia ka zbuluar se në lokale të ndryshme, në disa qytete e fshatra janë organizuar lojëra të tilla.