Biznesmeni më i pasur rus i thotë Putinit: Mos na kthe në vitin 1917

Biznesmeni më i pasuri i Rusisë ka paralajmëruar Kremlinin kundër konfiskimit të aseteve të kompanive të huaja që kanë vendosur të largohen nga ky shtet për shkak të pushtimit të Ukrainës. Sipas tij, një veprim i tillë do ta kthente Rusinë 100 vjet prapa.

Vladimir Potanin, president i gjigantit prodhues të palladiumit dhe nikelit, “Norilsk Nickel”, ka thënë se Rusia rrezikon të kthehet në ditët e revolucionit të 1917-s nëse mbyll dyert për kompanitë dhe investitorët perëndimorë. Ai ka kërkuar nga qeveria e Rusisë të veprojë me shumë kujdes sa i përket konfiskimit të aseteve.

“Së pari, do të na kthente pas 100 vjet, më 1917, dhe pasojat e një hapi të tillë – mosbesimi i Rusisë sa i përket investitorëve – do ta vuanim për shumë dekada”, ka thënë ai në një postim në Telegram. “Së dyti, vendimi i shumë kompanive për t’i pezulluar operimet në Rusi, do të thosha, është emocional dhe mund të jetë për shkak të presionit të paprecedent nga opinioni publik. Andaj ata me gjasë do të kthehen. Dhe personalisht, do ta ruaja këtë shans për ta”.

Potanin është miliarderi më i pasur i Rusisë dhe ka pasuri në vlerë 22.5 miliardë dollarë, sipas indeksit të “Bloombergut”, pavarësisht se ka humbur çerekun e pasurisë së tij sivjet për shkak të rënies së aksioneve të kompanisë së tij.

“Norilsk Nickel” është prodhuesi më i madh i palladiumit dhe nikelit të shkallës së lartë.

Shumë kompani të huaja kanë vendosur të largohen nga Rusia pas pushtimit të Ukrainës, ndërkaq presidenti rus, Vladimir Putin, ka njoftuar se mbështet planin për të prezantuar “menaxhmente të jashtme” për kompanitë e huaja që e lënë Rusinë.

Organizata e të drejtave të konsumatorëve ka përpiluar listën e kompanive që kanë vendosur të largohen dhe që mund “të nacionalizohen”.

Aty përfshihen rreth 60 kompani, përfshirë Volkswagenin, Applen, IKEA-n, Microsoftin, IBM-in e të tjera.