Bojkoti i VV-së në Komisionin Hetimor/ Lekaj: Kjo po e vërteton se Qeveria Kurti ka keqpërdorur rezervat e miellit dhe vajit

“Kjo po e vërteton se Qeveria Kurti ka keqpërdor rezervat e miellit dhe vajit”.

Kështu e ka vlerësuar mungesën e deputetëve të VV-së në Komisionin Hetimor, deputeti i AAK-së Pal Lekaj.

Ai tha për Front Online se Komisioni duhet ta kryejë punën e jo të mbulojë vjedhjen.

“Tani e disa muaj shumica e pushtetit nga Vetëvendosja, janë duke kundërshtuar mbledhjet e Komisionit Hetimor që ka për qëllim zbulimin e keqpërdoruesve dhe vjedhjeve të rezervave të shtetit. Prandaj është më se e nevojshme të kryejë punën Komisioni Hetimor e jo të mbulohet vjedhja”, thotë Lekaj.

Lidhur me deklaratat e pushtetit për Komisionin Hetimor, Lekaj i ka quajtur mashtrime e gënjeshtra.

Lekaj thotë se populli do t’i tregojë vendin në kutin e votimit Qeverisë aktuale.

“Fatkeqësisht pushteti po krijon mjegulla tek qytetarët me deklarata të vazhdueshme, por gjithçka është gënjeshtër e mashtrim ndaj përgjegjësisë publike lidhur me Komisionin Hetimor në variantin e tyre. Po shpresojmë që populli po sheh dhe do ti tregojë vendin këtij pushteti në kutinë e votimit”, ka thënë ai për Front Online.