Borell thirrje Kosovës e Serbisë: Duhet t’i hiqni menjëherë Policinë Speciale dhe barrikadat

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politika të jashtme, Joseph Borrell ka reaguar sërish për situatën në veri të Kosovës.

Borrell ka thënë se vazhdon të ndjek nga afër situatën, dhe se Kosova e Serbia duhet ta de-përshkallëzojnë atë.

Ai ka kërkuar që Kosova të tërheq menjëherë policinë Speciale nga atje si dhe serbët të heqin bllokadat.

“Unë vazhdoj ta ndjek nga afër situatën në veri të Kosovës. Serbia dhe Kosova duhet të de-përshkallëzojnë pa kushte situatën në terren, duke tërhequr menjëherë njësitë speciale të policisë dhe duke çmontuar postblloqe. Çdo provokim i mëtejshëm ose veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara janë të papranueshme”, ka thënë ai.

Sipas Borrell, Kosova e Serbia duhe të kthehen në nxitjen e një mjedisi të favorshëm për pajtim, stabilitet rajonal dhe bashkëpunim në të mirë të qytetarëve të tyre.

Thirrja e plotë nga Borrell:

Unë vazhdoj ta ndjek nga afër situatën në veri të Kosovës. Serbia dhe Kosova duhet të de-përshkallëzojnë pa kushte situatën në terren, duke tërhequr menjëherë njësitë speciale të policisë dhe duke çmontuar postblloqe.Çdo provokim i mëtejshëm ose veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara janë të papranueshme.

Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë zgjidhje për të zbutur situatën dhe për të rënë dakord për rrugën përpara. BE do t’i mbështesë në mënyrë aktive këto përpjekje.Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë janë plotësisht përgjegjës për çdo rrezik për sigurinë dhe mirëqenien e komuniteteve lokale si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. E theksova këtë në thirrjet e mia me Presidentin Vuçiç dhe Kryeministrin Kurti këtë javë.

Dialogu i lehtësuar nga BE-ja vazhdon të jetë platforma e vetme për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura midis Palëve, përfshirë ato që lidhen me lirinë e lëvizjes dhe targat, dhe unë i nxis fuqimisht Kosovën dhe Serbinë që ta përdorin atë. Të dy Kryenegociatorët që vijnë në Bruksel ditët në vijim është hapi i parë pozitiv. Është thelbësore që ata të vijnë me një mandat për të diskutuar rrugën përpara dhe për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme që janë në interes të qytetarëve.

Ne e përsërisim që ne presim që Kosova dhe Serbia të kthehen në nxitjen e një mjedisi të favorshëm për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin në të mirë të qytetarëve të tyre. Kjo është vendimtare për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, e cila është e nevojshme që të dy të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane.

Unë jam në kontakt të ngushtë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, të cilin e falënderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer mes KFOR -it dhe EULEX -it. KFOR luan një rol kyç në mbështetjen e stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor.