Borrell pas takimit me Ramën: Vendet e BE-së po e humbin durimin përballë tensioneve Kosovë – Serbi

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama e ka falënderuar atë për përpjekjet që po bën për të gjetur zgjidhje, pas rritjes së tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Pashmangshëm, diskutuam për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit e Prishtinës, dhe ju falënderoj juve z.kryeministër për përpjekjet dhe mbështetjen, në tentimet për të gjetur zgjidhje”, ka thënë Borrell.

Ai tutje e ka bërë të qartë se këto përpjekje për zgjidhje janë gjithashtu edhe qëndrim i vendeve anëtare, pas takimit të djeshëm të Minstrave të Jashtëm në Luksemburg, ku është tehskuar se palët duhet depërshkallëzojnë situatën dhe të gjejnë një rrugë përpara, duke u bazuar në udhërrëfyesin evropian që u është propozuar në takimet e javës së kaluar në Bruksel.

“U pajtuam që situata thërret për lëvizje të shpejta, depërshkallëzim dhe gjetjen e menjëhershme të zgjidhjeve, dhe ju them se vendet anëtare pajtohen për natyrën urgjente të kësaj dhe janë duke e humbur durimin përballë situatës që po vazhdon të përkeqësohet dhe që kërkon hapa të menjëhershëm”, ka vijuar Borrell.

Ndryshe, tensionet në veri janë rritur që nga 26 maji, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Popullata serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet, ka kundërshtuar veprimin e kryetarëve dhe ka mbajtur vazhdimisht protesta para ndërtesave.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbisë që t’i ulin urgjentisht tensionet dhe që të organizohen zgjedhje të reja në veri.