Borrelli jep detaje edhe për bisedën me Vuçiqin

Kryediplomati evropian, Josep Borrell, pasi tregoi se çka ka folur me kryeministrin kosovar Albin Kurti mbrëmë në telefon, dha detaje edhe për bisedën me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

“Kam folur me presidentin Vuçiq për rrugën përpara në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Në mjedisin aktual gjeopolitik është më e rëndësishme se kurrë gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve. Ne mbetemi në kontakt të ngushtë”, ka shkruar ai në Twitter, njofton Klankosova.tv.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri edhe me Kurtin tha se ka biseduar për hapat e ardhshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai e ka cilësuar si diskutim të mirë bisedën me kryeministrin kosovar, derisa shtoi do të vazhdojnë të punojnë për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

Për bisedën mes Borrellit dhe Kurtit mbrëmë lëshoi një komunikatë edhe Zyra e Kryeministrit.

Veçse për dallim nga njoftimet e Borrellit se bisedat me liderët e Kosovës dhe Serbisë ishin për “normalizimin e marrëdhënieve”, Zyra e Kryeministrit tha se u fol për përmbajtjen e kornizës themelore të marrëveshjes që për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër.