BQK u dërgon sms qytetarëve: Pranoni euro në llogari bankare, kurseni e këmbeni në cilëndo valutë

Para disa ditësh Banka Qendrore e Kosovës ka përgatitur një plan 10 pikësh lidhur me rregulloren e saj të re për operacione me para të gatshme.

Bazuar në këtë plan, rregullorja sipas së cilës parashihet që pagesat në Kosovë të bëhen vetëm me euro, e një gjë e tillë ndalohet të bëhet me dinar duhet të zbatohet në një afat deri në tre muaj.

E përveç kësaj ,BQK tashmë ka nisur edhe një metodë të re të vetëdijesimit te qytetarëve. Ajo ka filluar të nis edhe SMS-a nëpër telefonat e secilit qytetar duke i aplikuar që të pranojnë vetëm euro nëpër llogari bankare, përderisa ka njoftuar se këmbimi dhe kursimi mund të bëhet në cilëndo valutë.

“Qytetare te nderuar, Pranoni para permes llogarise bankare ne Euro. Kurseni dhe kembeni ne cilendo valute. Hapni llogari me sherbime bazike, pa tarife te hapjes dhe te mirembajtjes. 080022255 https://bit.ly/0800thirrniBQK”, shkruan në SMS.

E pos kësaj BQK ka përgatitur edhe një plan për të njëjtën qështje, pra dinarin.

Më poshtë i gjeni 10 pikat e këtij plani:

Funksionalizimi i linjës së telefonit pa pagesë (0800-222-55), e-mailit për ankesa, si dhe numrit të dedikuar në ‘viber’

Lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, në raste specifike në komunat me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore, me mundësi të kompletimit të dokumenteve (dëshmi të adresës) edhe pas hapjes dhe aktivizimit të llogarisë

Pezullimi i përkohshëm i tarifës të BQK-së e aplikueshme për hapje të degëve/zyrave, për të inkurajuar institucionet financiare jobankare (me theks për këmbimore) të licencuara për hapjen e zyrave në Komunat e Kosovës me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore

Zgjerimi i prezencës me degë bankare jobankare për mbulimin me degë shtesë dhe rritje të ofrimit të shërbimeve financiare në komunat në veri të vendit

Organizimi i ofrimit të shërbimeve bankare (hapje e llogarisë) në mënyrë mobile nga bankat komerciale (remote banking) në secilën nga katër komunat veriore, në mënyrë të organizuar me qëllim të jenë sa më afër qytetarëve

Vendosja e disa bankomatëve (ATM) si dhe pajisjeve tjera për pagesa elektronike (POS), apo vet-shërbime financiare

Lehtësimi i procesit të këmbimit të dinarëve me EURO nga institucionet financiare dhe këmbimoret të licencuara

Vazhdimi i aktivitetit të intensifikuar promovues, me materiale të personalizuara dhe thjeshtëzuara, video mesazheve, si dhe edukimit financiar të fokusuar

Rritja e qasjes në financa, rritja e mëtejshme e kreditimit dhe pakove tjera financiare të fokusuara në këto zona nga institucionet financiare

Rishikimi i kushteve të konvertimit me trajtim preferencial gjatë pranimit të fondeve dhe tërheqjes në bankomate (ATM) me kartela të skemave ndërkombëtare të lëshuara jashtë Kosovës

Këto veprime ndërmerren krahas angazhimit konstruktiv, në lehtësimin e mekanizmit të transferimit të mjeteve në mënyrë sa më efikase nga Serbia në Kosovë, përmes llogarive bankare dhe modeleve tashmë të njohura, të paraqitur në letrën e propozimit të BQK-së, me gatishmërinë për të shqyrtuar çdo opsion.

Ky plan kontribuon veçanërisht tek qytetarët me qasje të kufizuar në financa dhe shërbime financiare dhe mundëson rritjen e qasjes në financa të sigurta përmes bankave dhe institucioneve financiare jobankare, gjithpërfshirjen financiare dhe mbrojtjen e tyre nga aktivitetet financiare të pashëndosha, si angazhime të vazhdueshme të BQK-së mbi bazën e praktikave më të mira evropiane.