Burim Gjaka sjell librin e dytë “50 dallgët e dashurisë”

Shkrimtari dhe historiani vushtrrias, Burim Gjaka ka botuar sot librin e dytë “50 dallgët e dashurisë”, shkruan Fokusi.info.

“Dashuria është e përjetshme, mirëpo nganjëherë edhe simbolikat kanë rëndësinë e vet. E pikërisht sot, më 14 shkurt 2023, si simbolikë e ” Ditës së të dashuruarve” dhe në shenjë respekti dhe konsiderate ndaj të gjithë atyre që ofrojnë dashuri”, ka shkruar Gjaka.

Postimi i plotë:

Të nderuar miq!

Megjithëse dashuria është abstrakte, ajo është shumë e ëmbël. Ëmbëlsia e saj rritet edhe më shumë kur përjetohet. Përkundër problemeve dhe vështirsive që mund të kemi në jetë, dashuria është ajo që na e mundëson t’ia dalim më lehtë. Vetëm ata që japin dhe marrin dashuri e njohin kuptimin e kësaj fjale. Nuk thuhet kot se dashuria është medikamenti më i përsosur për shërimin e të gjitha brengave të njeriut, prandaj ofroni dashuri të sinqertë ndaj njeriut ( prindit, gruas, burrit të dashurës, të dashurit, vëllaut, motrës, shokut, shoqes etj) sepse vetëm dashuria na bën të lumtur!

Dashuria është e përjetshme, mirëpo nganjëherë edhe simbolikat kanë rëndësinë e vet. E pikërisht sot, më 14 shkurt 2023, si simbolikë e ” Ditës së të dashuruarve” dhe në shenjë respekti dhe konsiderate ndaj të gjithë atyre që ofrojnë dashuri, unë miku juaj Burim Gjaka, sot kam botuar librin tim të dytë me radhë, me titull ” 50 dallgët e dashurisë”, i cili në tërsi i kushtohet po kësaj teme.

Libri në fjalë përmban 50 poezi dashurie të cilat nga sot mund të bien në duart e lexuesve. Është një libër në vargjet e së cilit mund ta gjej veten secili nga ne sepse të gjithë në një kohë kemi qenë apo edhe jemi në një rrugë të tillë.

Për daljen në dritë të këtij libri kanë punuar një ekipë e tërë, të cilët meritojnë falendërim dhe respekt pa masë, kurse libri është botuar nga Shtypshkronja ” Migros-2″ me seli në Vushtrri!

Faleminderit shumë dhe shpresoj që ndonjëherë t’ua kthej nderin që më keni bërë:
Arianit Behrami-recensent i librit;
Lavdije Krasniqi Mustafa- redaktore dhe lektore e librit;
Baki Abdullahu- dizajnues i kopertinës së librit.

Ndërsa pa kontributin financiar të shkollës së gjuhëve të huaja ” The Cambridge School ” në Vushtrri, me në krye drejtorin VETON SHALA, ky libër ende do të mbetej në dorëshkrim. Prandaj faleminderit shumë miku im!