Lufta Rusi-Ukrainë: Ky është plani 6-pikësh i Britanisë

Kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson përshkroi një plan prej gjashtë pikash për të zgjidhur krizën Rusi-Ukrainë, duke bërë thirrje për përpjekje të reja ndërkombëtare për t’i dhënë fund konfliktit.

Plani i tij prej gjashtë pikash se si duhet të punojë komuniteti ndërkombëtar drejt zgjidhjes së krizës mbulon mbështetjen humanitare dhe ushtarake, sanksionet ekonomike, një përpjekje për të gjetur një zgjidhje diplomatike dhe një përpjekje të ripërtërirë për të forcuar sigurinë në të gjithë Evropën.

“Putini duhet të dështojë dhe duhet të shihet se dështon në këtë akt agresioni. Nuk mjafton të shprehim mbështetjen tonë për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla – ne duhet ta mbrojmë atë kundër një përpjekjeje të vazhdueshme për të rishkruar rregullat me forcë ushtarake”, ka thënë Johnson.

Johanson këtë javë do t’i bëjë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bëjë një përpjekje për të siguruar dështimin e Putinit në Ukrainë.

Të hënën, Johnson do të mirëpresë kryeministrin kanadez Trudeau dhe kryeministrin holandez Rutte në Downing Street për diskutime se si t’i kthejnë këto angazhime në një fushatë të bashkërenduar solidariteti me Ukrainën. Të premten ai foli me presidentin Macron dhe liderët e Turqisë dhe Serbisë.

Këto janë gjashtë pikat e planit të Britanisë:

1. Mobilizimi i një koalicioni ndërkombëtar për Ukrainën

2. Të përkrahet Ukraina në përpjekjet për vetë-mbrojtje

3. Të rritet presioni ekonomik ndaj regjimit të Putinit

4. Të parandalohet normalizimi i asaj se çka është duke bërë Rusia në Ukrainë

5. Të ndiqen rrugët diplomatike për de-eskalim, por vetëm në bazë të pjesëmarrjes së plotë të qeverisë legjitime në Ukrainë

6. Të fillohet një fushatë e shpejtë për fuqizimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në gjithë regjionin euro-atlantik.