Burri i presidentes thotë që Osmani e quajti e para Putinin kriminel lufte

Joe Bidenit iu deshën 21 ditë për ta quajtur Vladimir Putinin kriminel lufte.

Kaq gjatë nuk u mendua homologia e liderëve të fuqishëm botërorë, Vjosa Osmani e Kosovës, e cila guxoi t’ia thotë këtë shefit të Kremlinit 10 ditë para kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Ajo i dha kësi epiteti Putinit gjatë një proteste pro Ukrainës në Prishtinë, më 7 mars, njofton Klan Kosova.

“I jemi bashkuar botës demokratike, aleatëve tanë, jo vetëm për ta dënuar agresionin rus mbi Ukrainën, por në të njëjtën kohë për të kërkuar përgjegjësi për krimet që po i kryen krimineli i luftës, diktatori Putin”, kishte thënë Osmani.

Osmani del të jetë ndër liderët e parë që e kualifikoi Putinin si kriminel lufte, të paktën sipas bashkëshortit të saj, Prindon Sadriu, i cili është edhe diplomat.

Ky, në një postim në Facebook, tregoi datat se kush kur e quajti liderin rus me atë epitet, ani se ditët kalendarike duket t’i ketë vonuar të paktën 24 orë për shefen e Kosovës dhe atë të Amerikës.

Sipas Sadriut, Osmani e quajti Putinin kriminel lufte më 8 mars, Bideni më 15 mars, ndërsa kryediplomatja britanike, Liz Trus, më 17 mars. Në fakt, kosovarja e bëri këtë deklaratë më 7, ndërsa amerikani më 16 të këtij muaji.

Britanikja, në një prononcim për BBC, të enjten, tha se ka fakte që presidenti rus qëndron prapa krimeve të luftës në Ukrainë.

Edhe lideri i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, në jo pak raste i ka quajtur njëjtë të bëmat e Rusisë në vendin e tij. Pas sulmeve në maternitetin e Mariupulit, më 9 mars, ish-komediani i kërkoi botës të bashkohet në dënimin e këtij krimi të luftës.