Bursa e energjisë, Shqipëria dhe Kosova me platformë të përbashkët brenda vitit

Pas shumë vitesh pritjeje, Shqipëria dhe Kosova do të kenë së shpejti bursën e përbashkët të energjisë.

Pas përzgjedhjes së platformës së tregtimit këtë muaj, e cila do të ofrohet nga një konsorcium grek i përbërë nga tre kompani, procesi pritet të konkretizohet brenda këtij viti.

Por, si do të ndikojë ngritja e bursës në tregun energjetik në Shqipëri, i cili është në proces transformimi, dhe a do të kenë bizneset që dolën në tregun e lirë çmime më të favorshme?

Eksperti i tregut të energjisë, Lorenc Gordani, është shprehur për A2 CNN se bizneset do të kenë përfitime nga ngritja e bursës.

Sipas Gordanit, 7,500 biznese nga Shqipëria do t’i drejtohen tregut të lirë për blerjen e energjisë.

“Madje, javën e fundit kemi pasur plotësimin edhe me kontratën e cilësisë së furnizimit, që do të sjellë furnizim me standarde evropiane”, ka shtuar Gordani.

Shqipëria dhe Kosova janë aktualisht dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor që nuk kanë një bursë energjie tërësisht funksionale.