Bylbyl Sokoli largohet nga Flamurtari një javë pasi mori drejtimin e tij

Trajneri Bylbyl Sokoli ka qenë trajneri i KF Flamurtarit vetëm për një javë.

Ai është zgjedhur në krye të këtij klubi më 13 dhjetor.

Largimin e tij për KTV-në e ka konfirmuar kryetari i klubit, Imer Ademi.

Ademi ka thënë se Sokoli nuk është më trajner për shkak të mosmarrëveshjeve mes tyre.

Tani, ekipin do të vazhdojë ta udhëheqë Synaj Keçi.

Më herët gjatë vitit, Sokoli ishte larguar edhe nga Prishtina vetëm pak ditë pasi kishte marrë postin e trajnerit.

Gjithashtu, klubi i Flamurtarit përmes një komunikate për media ka treguar se “dëshira e klubit që të ketë bashkëpunim në mes të dyja palëve doli që të jetë i ngutshëm dhe jo produktiv”.

“Edhe pse dëshira e KF Flamurtarit për ta pasur në krye të ekipit Bylbyl Sokolin ishte e madhe, gjërat në relacione të ndërsjellët shkuan në kahjen e cila është e pa pranueshme për klubin tonë”, thuhet në komunikatë.

“Sokoli është angazhuar për të qenë shefi i shtabit teknik me të gjitha ingerencat që përfshin ky post, dhe me duart e lira për lirimin dhe pruarjet e lojtarëve të ri në klub, por dëshira e tij që të udhëheq edhe politikën dhe organizimin e brendshëm të tij si dhe zhagitja e nënshkrimit të kontratës me klub, me parametrat financiare të dakorduara nga të dyja palët bëri që marrëveshja të ndërpritet”, thuhet tutje në komunikatë.

Bordi i KF Flamurtarit, po ashtu, njofton se në ditët në vijim do të vendosë për kryetrajnerin e ri.