Cakaj në Gjenevë: Askush të mos harrojë pasojat e gjenocidit të Millosheviqit

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj po merr pjesë në punimet e Forumit Global për Refugjatët në Gjenevë.

Cakaj atje tha se Shqipëria mbetet e përkushtuar për zbatimin e plotë të detyrimeve të saj në kuadër të Kompaktit Global për Refugjatët.

“Po ashtu, në bashkëpunim të ngushtë me UNHCR, BE dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, Shqipëria do të punojë në përmirësimin e sistemit për menaxhimin e kërkesave për azil dhe zgjerimin e kapaciteteve për integrim të refugjatëve”.

“Shumë e rëndësishme të kujtohet kontributi i pakrahasueshëm historik i Shqipërisë në pranimin e refugjatëve nga lufta e Kosovës e shkaktuar prej projekteve për pastrim etnik dhe gjenocid nga regjimi i Milosheviçit!”

“Kjo përvojë historike nuk përbën vetëm një shembull unik të solidaritetit kombëtar, por paraqet edhe një model botëror sa i përket marrëdhënies së Shqipërisë me refugjatët në një prej orëve më të vështira të historisë”, shkruan ai në facebook, transmeton Klan Kosova.