Cakaj takohet me Mogherinin

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj zhvilloi një takim në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini.

Ministri Cakaj vlerësoi kontributin e veçantë të Mogherini për nxitjen e përparimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht rolin e rëndësishëm në mbështetje të perspektivës evropiane të rajonit tonë.

Cakaj rikonfirmoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar me ritmin e reformave në mënyrë që të konsolidohen më tej rezultatet e qëndrueshme në agjendën evropiane që do të mundësojnë hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE. Ai vlerësoi se vendimi për fillimin e negociatave do të japë një impuls të ri jo vetëm për vendin tonë por do të inkurajojë edhe një dinamikë më pozitive në rajon.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së vlerësoi arritjet e deritanishme në pesë prioritetet e vendosura nga Bashkimi Evropian, sidomos atë në fushën e drejtësisë.

Mogherini tregoi interes në lidhje me situatën e fundit në Shqipëri dhe theksoi nevojën për pjekuri politike dhe përgjegjshmëri kombëtare në këtë periudhë kyçe të procesit të integrimit.

Në përfundim të takimit Ministri Cakaj dhe Përfaqësuesja e Lartë Mogherini u dakorduan për të intensifikuar ndërveprimin dhe bashkëpunimin gjatë muajve të mbetur në funksion të arritjes së objektivit prioritar të Shqipërisë për hapjen e bisedimeve për anëtarësim.