Caktohet seanca e radhës ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë caktuar seancën e radhës ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish- kryetarit të kuvendit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Seanca e radhës do të mbahet të mërkurën, më 21 korrik në orën 14:30. Ajo do të mbahet në prezencën e mbrojtjes, përfaqësuesit të Zyrës për Viktimat dhe Prokurorisë.

Seanca pritet të jetë konferencë për ecurinë e çështjes së Thaçit dhe të tjerëve.

Palët e lartëpërmendura kanë të drejtë që deri me 16 korrik t’i dërgojnë parashtresat e tyre me shkrim, nëse dëshirojnë ta bëjnë këtë apo në të kundërtën argumentimet do t’i japin vetëm në seancë.

Ndërkaq, më 14 korrik, do ketë konferencë nga ora 15:00 për ecurinë e çështjes së Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.