Cani për takimin e nesërm në Berlin: E kanë kuptuar se lënia pas dore e dialogut mund të çojë në katastrofë sikur në Ukrainë

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, nesër do të pres në Berlin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pjesë e takimit do të jetë edhe emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak.

Përveç takimit me emisarin Lajçak, kancelari Scholz nesër do të takoj në dy termine të ndara, fillimisht kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti e më pas edhe presidentin serb, Aleksander Vuçiq.

Lidhur me pritshmeritë nga ky takim i rëndësisë së veçantë, Demokracia.com ka kontaktuar me gazetarin e njohur kosovar të Deutsche Welle-s, Bahri Canin.

Ai ka thënë se Gjermania është e interesuar që ky proces të zhbllokohet dhe se Berlini e Brukseli e kanë kuptuar se lënia pas dore e çështjeve mund të çojë na katastrofa të ngjashme si ajo në Ukrainë.

“Gjermania është shumë e interesuar që ky proces të zhbllokohet dhe që palët sa më parë të intensifikojnë dialogun, për shkak se Berlini dhe Brukseli e kanë kuptuar se lënia pas dore e çështjeve mund të çojë na katastrofa të ngjashme si ajo në Ukrainë. Këtë dëshmon edhe fakt se kancelari Olaf Scholz ka ftuar për bisedë jo vetëm kryeministrat Kurti dhe Vuçiq, por edhe ndërmjetësin Lajçak, i cili në mbrëmje do të takojë të dy kryeministrat së bashku. Mund të thuhet pra se ky është edhe hapi i parë në intensifikimin e dialogut të mëtutjeshëm që pritet të zhvillohet në Bruksel”, ka thënë Cani.

Ai po ashtu ka deklaruar se Gjermania është fuqia më e madhe në BE dhe ajo me siguri që ka fuqi të çojë përpara shumë procese të rëndësishme.

“Gjermania është fuqia më e madhe në BE dhe ajo me siguri që ka fuqi të çojë përpara shumë procese të rëndësishme. Angazhim i vet kancelarit në këtë çështje do të thotë se nga Serbia do të kërkohet shumë qartë që të përcaktohet në politikën e saj karshi Rusisë dhe Bashkimit Evropian, dhe në radhë të parë sanksioneve të BE ndaj Rusisë. Këtë dëshmon edhe kthesa bukur e madhe që kohët e fundit është bërë në Beograd ku shumë media shkruajnë kundër Putinit dhe politikës ruse, me shpjegimin se ajo “i ka futur thikën pas shpine Serbisë”. Por me siguri që nuk mund të pritet zgjidhja e menjëhershme e problemeve. Ajo që pritet është – përcaktimi i palëve për dialog dhe vendosmëria për zgjidhjen e problemeve”, ka deklaruar gazetari i Deutsche Welle-s, Bahri Cani.

Ndër të tjera, ai ka shtuar se nga ky takim nuk pritet ndonjë marrëveshje e shpejtë.

“Një marrëveshje tepër e shpejtë nuk pritet, por pritet intensifikimi i përpjekjeve për arritjen e marrëveshjeve. E sa shpejt do të arrihet marrëveshja, kjo varet edhe nga pozicionimi i palëve, por edhe nga zhvillimet e tjera gjeostrategjike.

Cani në fund ka shtuar se SHBA, Gjermania dhe BE nuk mund dhe nuk guxojnë të lejojnë që Rusia të fillojë të realizojë qëllimet e veta në Ballkan, për destabilizimin e këtij rajoni dhe shtrirjen e konflikteve edhe në rajone të tjera.