Çelaj: Po të merrte pjesë Kosova si e barabartë me të tjerët, Serbia s’do ta pranonte Mini-Schengenin

Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Lirak Çelaj, ka thënë se nëse Kosova s’do të refuzonte pjesëmarrjen në Samitin e Mini-Schengenit Ballkanik dhe do të ulej në tryezë si shtet i barabartë me të tjerët, Serbia do të lëshonte takimin dhe gishtat do të drejtoheshin tek ajo e jo te Kosova.

Në Rubikon të KTV-së, ai ka thënë se ka pasur keqmenaxhim të kësaj iniciative nga kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili e vazhdoi idenë pavarësisht refuzimit të Kosovës. Sipas tij, edhe qëndrimet e disa liderëve kosovarë kanë qenë të gabuara.

“Mendoj se Rama gaboi në mënyrën si e menaxhoi këtë nismë dhe mendoj se edhe disa prej liderëve politikë në Kosovë gabuan se si reaguan. Këto raporte derivuan në konflikt me dëm që mund të jetë i përmasave kombëtare, bazuar në raportet personale të disa liderëve. Qëndrimi pro ose kundër bazohet në këtë rivalitetin e krerëve politikë këndej e andej kufirit. Ka pak inat, kokëfortësi e këto kanë sjellë një ngërç e po reagojmë me eufori”, ka thënë ai.

Sipas tij, kryeministri Rama është dashur të fliste me shqiptarët e Kosovës dhe të mos nxitonte me iniciativën.

“Edi Rama është dashur të ketë dialog me faktorin shqiptar në Kosovë. Të mos nxitonte, por mendoj se edhe Kosova duhet të merrte pjesë. Jam i bindur se në tryezë do të ishte problem të zbatohej. Jam skeptik se do të realizohet, por nëse je në tryezë dhe e vë parimin e barazisë, jam i bindur se Serbia s’do ta pranonte. Tash ne po ia heqim këtë adut. Duke mos marrë pjesë ne po ia heqim adutin Serbisë dhe po i marrim shigjetat ndaj vetes. Nga taksa e tutje askush s’i hedh shigjetat kah Serbia, por vetëm kah Kosova. Në Gjermani kanë thënë se vetëm po të bënit vërejtjen publike se nëse nuk zbatohet kjo do të kemi taksë, dy herë po ta respektonit këtë vendim, asnjë nga shtetet s’do t’u dilte kundër taksës. Edhe këtë po e shoh këtu. Të gjitha argumentet do të duheshin të diskutohen në atë tryezë. Ndoshta Vuçiqi aty thotë se do ta pranojë Kosovën. Nëse presim që Vuçiqi të zgjohet në një mëngjes e të thotë se e pranojmë Kosovën mendoj se gabohemi. Me bllokadën aktuale po dëmtohet vetëm Kosova e jo Serbia”, ka deklaruar ai.

Sipas Çelajt, Kosova me refuzimin për pjesëmarrje ia ka dhenë rastin liderëve të Serbisë të duken si “djem të mirë”.

“Jam i bindur se po të merrte Kosova status të barabartë aty, serbët do e lëshonin tryezën e gishti në këtë rast do të drejtohej kah ta. Ne e humbëm këtë rast. S’duhet detyrimisht të pranojmë iniciativën. Mund të ulemi të japim kontributet, vërejtjet, të shohim a do të ketë benefit Kosova prej kësaj iniciative. Ky projekt do të dështojë si shumica e nismave rajonale dhe kjo jo pse Serbia do ta dominojë apo jo, por sepse Ballkani ka probleme të ndryshme të cilat nuk mund të tejkalohen”, ka deklaruar tutje ai.