Çështja e dinarit, temë e bisedimeve sot në Bruksel

Këtë të martë në Bruksel do të zhvillohet takimi i radhës ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, ndërkaq ndër temat që do të diskutohet do të jetë çështja e dinarit.

Bashkimi Evropian tashmë ka konfirmuar takimin e radhës Kosovë-Serbi, ndërkaq pjesëmarrja në takim është konfirmuar edhe nga kryenegociatori, Besnik Bislimi.

Lidhur me ndalimin e dinarit serb të hënën ka folur edhe presidentja e shtetit, Vjosa Osmani.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se është domosdoshmëri që të arrihet një pajtim sa i përket zbatimit të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, me të cilën ndalohet qarkullimi i dinarit.

Osmani para mediave ka thënë se për një pjesë të propozimit të emisarit amerikan Gabriel Escobar ka pajtueshmëri.

“Deri tani pajtim për një pjesë të propozimit, nga ajo që jam informuar deri tani, dhe nuk ka pajtim për një pjesë tjetër të propozimit”, tha ajo.

Presidentja deklaroi se është shumë pozitive që ndërkombëtarët pajtohen të ketë ndalim të qarkullim të dinarit në Kosovë.

“Është shumë pozitive që ndërkombëtarët në krye me SHBA-në pajtohen qe mos të ketë qarkullim të dinarit në Kosovë, dhe me ndihem e tyre kemi arritur që dërgesat dhe ndihmat financiare që arrijnë nga Serbia të bëhen në euro dhe jo me dinar dhe kjo e zgjidh një pjesë të madhe të problemit”, tha mes tjerash ajo.

Ajo gjithashtu theksoi se pjesa më sfiduese është që të sigurohet që ndihma financiare që vjen nga Serbia të mos shkon në duart e atyre që kanë abuzuar e që janë të korruptuar.

Javën e kaluar, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk pranoi ta pezullojë rregulloren e BQK-së, derisa BE-ja, SHBA-ja dhe Qeveria e Kosovës të gjejnë një zgjidhje afatgjate, siç do të ishte transferimi elektronik i eurove përmes sistemit të Kosovës.