Çfarë e pret opozitën tani që s’ka mandate?

Kreu i kuvendit, Gramoz Ruçi, sot ka bërë një lëvizje taktike duke i përcjellë KQZ-së 56 mandatet e dorëhequra të opozitës, 24 orë pasi deputetët e saj dorëzuan kërkesën në kryesinë e kuvendit.

Afati që Ruçi kishte për të dorëzuar kërkesat e deputetëve të opozitës në KQZ- është 30 ditë, por ai i ka nisur ato direkt, duke dashur të demonstrojë forcë dhe vendosmëri për të mos i lutur aspak PD dhe LSI-në.

Po çfarë ndodh pasi ky akt ka hyrë në një rrjedhë proceduarash? Gjëja e parë që bëjnë me dije ekspertët ligjorë të selisë blu është se Kodi zgjedhor dhe kushtetuta nuk lejojnë më kthim pas. Pra edhe sikur për ta të ndodhi mrekullia, edhe sikur Rama të pranojë të dorëhiqet, të krijojë qeverinë tranzitore të kërkuar dhe të pranojë zgjedhjet e parakohshme, pra sikur të realizojë të pamundurën, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe 54 të tjerët, ligjërisht nuk kthehen dot më në kuvend. I pyetur nga Lapsi.al se si mund të arrihet kompromisi në një situatë të tillë, burimi nga PD u përgjigj: “nëse e pranojnë kompromisin, socialistëve u takon të votojnë të vetëm në sallë zgjidhjen e re. Ne e kemi të pamundur të ulemi më aty”.

Por ngërçi me djegien e mandateve nuk përfundon këtu.

Sipas Kodit Zgjedhor pasi ka marë kërkesat e përcjella nga Kuvendi, KQZ fillon procedurat për zëvendësimin nga listat e deputetëve të dorëhequr të PD. Për të marrë një shembull Lefter Maliqi që tashmë ka refuzuar të djegë mandatin kur t’i vijë radha do të futet në sallë. Aty do të gjej edhe Lefter Kokën dhe Myslym Murrizin. Po çfarë ndodh nëse 56 vendet nuk plotësohen dot?

“Ne nuk kemi koalicion dhe kodi zgjedhor nuk përcakton më tej se si zëvendësohen vendet vakante, normalisht ato nuk plotësohen dot me parti të tjera”, thotë burimi nga PD për Lapsi.al. Pra sipas tij karriget që kanë pasur PD dhe LSI do të mbeten të zbrazta. Madje ai e çon në ekstrem logjikën e tij: “Kushtetuta thotë që parlamenti shqiptar përbëhet detyrimisht nga 140 deputetë. Dhe në pamundësi për të zëvendësuar ligjërisht karriket e mbetura bosh, ky parlament bie. Ai bëhet ilegjitim dhe nuk ka zgjidhje tjetër veçse të vetëshpërndahet”.

Por,gjithësesi një arsyetim tjetër mund të ishte që Kushtetuta prevalon mbi kodin dhe për pasojë, megjithëse kodi nuk e parashikon, vendet e PS- LSI të plotësohen nga parti të tjera.

Megjithatë kjo më shumë sesa betejë ligjore do të jetë një lojë politike. A do t’i shkojë Rilindja përplasjes deri në fund duke prodhuar një opozitë fallco? Sot Gramoz Ruçi ka shpejtuar të hedhë hapin e parë në këtë drejtim. Dhe është shpejt të thuhet nëse është thjesht presion, apo fillimi i një rruge pa kthim.