Çfarë po ndikon në rritjen e rasteve me Covid-19, flet infektologu Krasniqi

Numri i rasteve me virusin COVID-19 në Kosovë tashmë ka arritur në 1.244 raste aktive.

Infektologu Valbon Krasniqi në një intervistë për gazetën inFokus ka thënë se ka shumë arsye të cilat kanë ndikuar në rritjen e numrit të të infektuarve me Covid-19.

Sipas Krasniqit një ndër to është edhe dyshimi të cilin e kanë qytetarët në jo ekzistencën e virusit, ani pse deri më tani janë konfirmuar 49 persona që kanë humbur jetën nga ky virus.

“Në rritjen e numrit të të infektuarve kanë ndikuar shumë gjëra. Zbutja e masave gjatë fazës së tretë pastaj lirimi dhe qarkullimi i personave pa respektuar masat në veçanti mosrespektimi i masave rekomanduese nga ana e qytetarëve, grumbullimet në masë të gjitha këto po ndikojnë në përhapjen e virusit me shpejtësi të madhe. Gjithashtu edhe ideja ose bindja të një pjesë e qytetarëve lidhur me ekzistencën ose jo të virusit po bën mjaft dëm në këtë aspekt dhe qytetarët po shihen si tepër të liruar sa i përket kësaj çështje”, ka thënë Krasniqi.