Chelsea kualifikohet në gjysmëfinale, eliminon Porton

Chelsea është kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve duke eliminuar Porton me rezultat të përgjithshëm prej 2-1, pas ndeshjes kthyese çerekfinale që u zhvillua në Sevilla të Spanjës.

Të dyja takimet çerekfinale ndërmjet këtyre skuadrave u zhvilluan në Estadio Ramon Sanchez Pizjuan. Blutë e fituan sfidën e parë me rezultat 2-0 në cilësinë e mysafirit, derisa përballja kthyese përfundoi me fitoren e Portos prej 1-0.

Minutat e para të sfidës nuk prodhuan raste të rrezikshme shënimi, ashtu që skuadrat zhvilluan lojë të kujdesshme. Blutë e kishin avantazhin prej dy golash, ashtu që thjesht duhej ta menaxhonin sfidën dhe ta ruanin epërsinë.

Një mundësi të mirë për ekipin portugez e pati Jesus Manuel Corona, i cili hyri në zonë dhe thjesht duhej ta mposhtte portierin, mirëpo goditi mbi portë, ashtu që skuadrat shkuan në pushim me rrjetat e paprekura.

Ekipi portugez arriti ta shënonte një gol të vonshëm në fraksionin e dytë përmes Mehdi Taremi (90’+4), por që nuk u shërbeu asgjë.