Çitaku: Biden nuk e lëviz ambasadën e SHBA-ve nga Jerusalemi, Kosova ta respektojë marrëveshjen

Ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington dhe përfaqësuesja e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara Vlora Çitaku ka folur rreth debatit për qytetin ku duhet të vendoset ambasada e Kosovës në Izrael.

Çitaku është shprehur se njohja nga Izraeli është arritur në Shtëpinë e Bardhë dhe është mbështetur nga administrata e Biden.

Ajo ka thënë se SHBA-të nuk do ta lëvizin ambasadën e tyre nga Jerusalemi, por gjithashtu ka thënë se Kosova nuk duhet të jetë në listën që nuk u përmbahen marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ky është postimi i plotë i saj:

E para dhe më e rëndësishmja, çështjet e politikës së jashtme, posaçërisht ato në të cilat është i përfshirë aleati ynë kryesor, nuk do të duhej asnjëherë të shndërrohen në tema elektorale. Rreth tyre do të duhej të kishim konsensus.

Njohja nga Izraeli është arritur në Shtëpinë e Bardhë.

Marrëveshja përmes së cilës është arritur kjo njohje, është mbështetur fuqimisht edhe nga Administrata e Presidentit Biden. Kushdo që thot ndryshe, gabon keq. Në fakt, formalizmi i marrëveshjes së njohjes mes Kosovës dhe Izraelit ka ndodhur me 1 shkurt 2021, me facilitimin dhe mbështetjen publike të Administratës së Presidentit Biden.

Vet Sekretari Amerikan i Shtetit, Z.Blinken, ka deklaruar publikish që SHBA-të nuk do ta lëvizin Ambasadën e tyre nga Jerusalemi. Për më tepër, Kosova nuk ka zhvendosur Ambasadë nga Tel Aviv. Kosova po hapë për herë të parë Ambasadë në Izrael.

Secili që ka pak njohuri bazike në politikën e jashtme e di fare mirë që kryeqytetin e vendit pritës, nuk e përcaktojmë ne.

Nuk do të doja asnjëherë që Kosovën ta shoh në listën e shteteve që nuk u përmbahen zotimeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.