Çitaku i reagon Kurtit: Nuk ka me pas luftë në Kosovë, mos ndjellni frikë e panikë

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka deklaruar se nuk do të ketë luftë në Kosovë. Ky reagim i Çitakut vije pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se rreziku i një konflikti me Serbinë është i lartë.

Çitaku përmes një postimi në Facebook thotë se lufta konvenciale ka përfunduar, tash betejat janë të një natyre tjetër.

Ndryshe, Kurti në një intervistë për la Repubblica, ka deklaruar se rreziku i një konflikti me Serbinë është i lartë.

Sipas Kurtit mundësitë për një luftë të tretë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovës janë shumë të larta.

Postimi i plotë:

Nuk ka me pasë luftë në Kosovë. Mos ndjellni frikë e panikë. NATO është garantues i sovranitetit të Kosovës. Serbia e di shumë mirë çka sjellë një konflikt i hapur me NATO. E ka provu.

Ka pasë luftë në Kosovë para 23 vitesh. Disa prej nesh kemi qenë të rritur dhe kemi pasë mundësinë me luftu atëherë.

Nderkohë, Serbisë sot më së shumti i konvenon status quo, dhe mundësisht me folë për stikersa e barikada.

Lufta konvencionale ka përfunduar. Tash betejat janë të një natyre tjetër.