Çitaku: Më dhemb kur dëgjoj “nuk jetohet në Kosovë”, Amerika e Zvicra s’janë fusha me lule

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se një prej problemeve serioze me të cilat përballet Kosova, është emigrimi i të rinjve.

Ajo ka thënë se sapo të dalësh jashtë kryeqytetit, në zona më periferike, vërehet mungesa e madhe e të rinjve kudo.

Ajo ka kërkuar që të rinjtë të gjejnë kurajën për të gjetur rrugët që ta shohin veten brenda shtetit të tyre, Kosovën.

“Urrejtja ndaj politikanëve është shndërruar në padurim edhe ndaj shtetit. Më dhemb kur dëgjoj nuk jetohet në Kosovë. Ne që e kemi pasur rastin ta shohim, nuk është fushë me lule as në Amerikë, as Zvicra”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo ka thënë se shteti duhet të krijojë rrethana më të mira për të rinjtë.

“Duhet ndërtuar një kontekst më i mirë, ku të rinjtë mund ta reealizojnë veten. Përkundër sfidave, nuk bën me heqë dorë nga vendi”, ka deklaruar ajo.

Çitaku ka folur edhe për heqjen e barrikadave.

Sipas Çitakut, Qeveria në vend se të hyjë në diskutime për marrëveshjen finale, ndërsa shton se Qeveria ka luajtur sipas lojës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Fatkeqësisht Qeveria e Kosovës ka rënë në grackë, në vend se të merret me marrëveshjen finale, ka hyrë në lojën e imponuar nga Vuciq, qoftë për targat apo letërnjoftimet. Ne kemi humbur kohë të vlefshme, kemi acaruar aleatët tanë. Kemi krijuar huti, paqartësi, pa asnjë nevoje”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo ka vlerësuar se qeveria e ka humbur një mundësi, siç e ka quajtur ajo, të artë.

“Në politikë, gabimet amatoreske, ndëshkohen. Kam frikë që e kemi humbur një mundësi të artë që ta përmbyllim këtë çështje përmes dialogut”, ka thënë ajo.

Për Çitaku, kryeministri Kurti nuk ka dëshirë të qeverisë.

“E kam përshtypjen që kryeministri nuk po do me qeverisë. Kjo lloj qasjeje nuk është vetëm në raport me Serbinë”, ka thënë tutje ajo.

Ajo ka thënë se arsye është ngarkesa e tepruar ideologjike e Kurtit./T7/