Çitaku-Sveçlës për pasaportat dhe kërkesën ndaj Gjermanisë: S’jemi në luftë

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi për shkak të mungesës së materialit për t’u pajisur me pasaporta, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka kërkuar nga shteti i Gjermanisë që të lejojë hyrjen e qytetarëve të Kosovës që u ka skaduar pasaporta.

Çitaku tha se shpreson që kjo nuk është e vërtetë. Kjo pasi sipas saj, ne nuk jemi në gjendje të jashtëzakonshme e as në ndonjë luftë.

“Po lexoj raportime në media se Ministri Svecla paska bërë kërkesë që të lejohet hyrja e shtetasve të Kosovës në Gjjermani, me pasaporta të skaduara. Shumë po kam dëshirë me besu që nuk është e vërtetë. Në gjendje të jashtëzakonshme nuk jemi. As luftë e as pandemi nuk ka”, shkroi ajo me anë të një postimi në Facebook.

Ish-ambasadorja kosovare në ShBA tregoi se Qeveria e Kosovës e ka për detyrë të ofroj shërbime ndaj qytetarëve, e jo të merret me fjalime, që ajo i quan mediokre dhe filozifike.

“Këtë punë e ka qeveria. Me mbledhë taksa dhe me ofru shërbime. Fjalimet mediokre filozofike nuk kryejnë punë në qeverisje”, përfundoi Çitaku.