Çka nëse Kurti nuk dëgjon SHBA-në? | Hovenier lë të kuptohet se Kurti po shkelë zotimet që Kosova i mori kur shpalli pavarësinë…

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier është përgjigjur edhe në pyetjet lidhur me Kurtin, dhe çka nëse “ai nuk e dëgjon” thirrjet e SHBA dhe BE për shtyerjen e vendimit për dinarin.

Ai ka lënë të nënkuptohet se Kurti po shkelë zotimet që Kosova i mori kur shpalli pavarësinë më 2008.

“Por ajo mbështetje për trajektoret e Kosovës, për përparimin e Kosovës drejt Evropës, drejt institucioneve euroatlantike, ka qenë gjithmonë e kushtëzuar dhe mbetet e kushtëzuar me zotimet që Kosova i ka marrë në kohën e shpalljes së pavarësisë, se do të jetë një shtet demokratik shumetnik.”, tha ai.

Hovenier ka folur edhe për deklaratat se vendimi i BQK-së për dinarin mund të rrisë tensionet në veri.

“Nuk e di që kam ndonjë informacion shtesë që nuk e kam ndarë. Mendoj se kushdo që e shikon këtë pako të problemeve do të thoshte, nëse një komunitet më parë kishte qasje në fondet pensionale dhe për të moshuarit, për shkollat, në mënyrë që fëmijët e tyre të arsimohen, për spitale dhe klinika shëndetësore që të kenë mundësi për të marrë kujdes mjekësor dhe ilaçe kur janë të sëmurë dhe nëse papritmas qeveria vendos politika dhe veprime që e kufizojnë ose e pengojnë atë, ju do të nxitni komunitetin të reagojë. Unë jam prind, kam rritur katër fëmijë. Nëse qeveria ime do të fillonte të bënte gjëra që do ta bënin më të vështirë për fëmijët e mi të shkonin në shkollë dhe të arsimoheshin ose që të më vështirësonte qasjen te një pediatër, do të isha shumë i zemëruar. Dhe do të ndjeja se qeveria ime jo domosdoshmërish po i kushtonte vëmendje gjërave që drejtpërdrejt më prekin mua dhe familjen time. Pra, nuk kam ndonjë informatë të veçantë këtu. Po flas thjesht si qenie njerëzore. Shumica prej nesh dëshirojmë që familjet tona të jetojnë në kushte të dinjitetit dhe sigurisë, të kenë arsim të mirë, të kenë kujdes të mirë shëndetësor, të kenë parashikueshmëri. Dua që gjyshi im të marrë pensionin çdo muaj. Dhe unë jam më pak i shqetësuar në cilën llogari bankare e merr atë, por shqetësohem më shumë se a ka para për të blerë bukë. Për këtë gjë po përpiqemi të flasim këtu dhe kjo është arsyeja pse jemi kaq të shqetësuar”, u shpreh Hovenier në tv21.

Ambasadori Hovenier përsëriti sërish kërkesën e SHBA-së drejtuar kryeministrit Kurti.

“Dua që t’ia lë z. Kurti të flas për z. Kurti. Unë mund të flas vetëm në atë masë për të cilën kam bërë më të mirën që të përçoj shqetësimet e qeverisë sime për këtë zgjidhje, për këtë politikë dhe ne shpresojmë që qeveria e Kosovës do të dëgjojë se çfarë po themi dhe të përshtatë, siç e thashë, se si synon ta zbatojë. Kërkesa jonë është e qartë një shtyrje e zbatimit deri sa të vendoset një strategji e mirë për të zbutur efektet mbi popullatën e cenueshme, dhe unë po flas, përveç tjerash, për popullatën etnike në Kosovë dhe një plan të mirë të informimit publik. Dhe në mënyrë optimale kjo bëhet në një mënyrë që është e pranueshme reciprokisht, prandaj ne duam që kjo të bëhet në dialog. Ky është mekanizmi për të zhvilluar këto biseda dhe për të gjetur rrugë të përbashkëta përpara”, tha Hovenier.

Ambasadori Hovenier është përgjigjur edhe në pyetjet lidhur me Kurtin, dhe çka nëse “ai nuk e dëgjon”.

“E dini, nuk dua të futem në hollësi. Do ta them atë që e kam thënë jo më larg se dje. Ne e marrim shumë seriozisht këtë çështje. Kryeministri e ka dëgjuar nga unë. Ai e ka dëgjuar këtë nga Jim O’Brien drejtpërdrejt në më shumë se një rast. Unë nuk mendoj se dikush ka dyshime për këto shqetësime të Shteteve të Bashkuara apo të partnerëve tanë sepse, përsëri, kishte një deklaratë të QUINT-it. Nuk jemi të vetëm në këtë shqetësim. Në masën që qeveria është e përgjegjshme ndaj këtij shqetësimi mbi një çështje kaq të ndjeshme se si komunitetet pakicë në Kosovë e ndjejnë se po trajtohen dhe në masën që qeveria i përgjigjet shqetësimeve që ata i ngrenë, për të cilat besojmë se janë legjitime, në masën që qeveria është partnere për të adresuar ato, atëherë ka ndikim pozitiv në partneritetin tonë. Në masën që qeveria vendos të mos i marrë parasysh këshillat tona ose të na dëgjojë, është e qartë se ka pasoja në cilësinë e partneritetit tonë. Sikundër e thashë në deklaratën tim dhe sikundër u tha nga Uashingtoni, e dini, kjo ndikon në aftësinë tonë për të qenë avokatë efektivë për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

“Unë dua të jem avokat shumë efektiv për Kosovën. Kam dhënë vite të jetës sime në mbështetjen e trajektores së Kosovës drejt strukturave evropiane dhe euro-atlantike. Unë e besoj këtë. Por unë besoj në atë në bazë të mirëkuptimit që kishim të gjithë për këtë vend, një shtet demokratik, shumetnik dhe sovran. Pra, gjithçka që mund të them është niveli ku qeveria nuk e bën partnerin për këtë do të ndikojë në cilësinë e partneritetit tonë”, u përgjigj Hovenier.