Çka paralajmëroi Albin Kurti se do të diskutojë me Hashim Thaçin

Albin Kurti, kandidati për Kryeministër, i cili ka dalë i pari në zgjedhjet e 6 tetorit, në lidhje me demarkacionin me Malin e Zi, në intervistën te “Jeta në Kosovë” i tha dy gjëra sa interesante, aq edhe të çuditshme, përcjell Fokusi.info.

Së pari, ai deklaroi se do të takohet me Presidentin Thaçi, për të cilin ka pas deklaruar se nuk e njeh si President.

Së dyti, tha se me Hashim Thaçin do ta diskutojë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, për të parë, së bashku me të, se çka mund të bëhet për ta përmirësuar këtë çështje.

“Unë pres që në takimin që do ta kem me Presidentin e Kosovës, sepse ai do të ma jep mandatin mu, unë do të takohem me të, dhe njëra prej temave që do ta bisedojmë bashkë, është edhe kjo. Më intereson mendimi i tij se çka mund të përmirësohet në lidhje me ata 8200 hektarë që u tjetërsuan nga territori i shtetit tonë”, tha Albin Kurti.

Çështja është interesante për të parë se sa me lehtësi Albin Kurti i ndryshon qëndrimet e deridjeshme dhe fakti tjetër, që është i çuditshëm, se si do ta diskutojë Albin Kurti “tradhëtinë kombëtare” me “kryetradhëtarin” e kësaj çështjeje.

Të gjithë e dimë se për çështjen e demarkacionit Albin Kurti “ka qenë në gjendje” t’ia vejë flakën qeverisë e “t’i varë” Hashim Thaçin e Isa Mustafnë, e madje është përmendur edhe lufta me Malin e Zi.

Tani, Albin Kurti, si Kryeministër i mundshëm, me njërin prej “tradhëtarëve” do të bëjë koalicion e me tjetrin “do ta diskutojë” se si ta përmirësojnë çështjen e demarkacionit. /Fokusi.info/