Çmimet e larta: Abdixhiku kërkon të reduktohet akciza në derivate dhe produkte bazike

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kërkuar nga Qeveria që të reduktojë akcizën në derivate dhe në produkte bazike.

“Të reduktohet akciza në derivate. Të reduktohet TVSH në naftë dhe produkte bazike.”, ka kërkuar ai nëpërmjet një shkrimi në Facebook.

Ai e ka përmendur shembullin e Gjermanisë, e cila me qëllim të lehtësimit të përballueshmërisë për qytetarët nga 1 qershori i këtij viti ka reduktuar akcizën dhe barrën tatimore në naftë për 35 cent.

Abdixhiku ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se po injoron krizën.

“Efektet e rënies së çmimeve u panë dy ditë më pas; dje dhe sot përkatësisht. Në vendin më të varfër evropian ndërsa, Qeveria e Kosovës vazhdon të injorojë krizën e përballueshmërisë së qytetarëve tanë. Çmimet e naftës vazhdojnë të mbesin të larta, e si pasojë dhe të dhjetra produkteve bazike në Kosovë. E kishim propozuar më 7 mars, plot tre muaj më parë, reduktimin e TVSH-së e të akcizës në naftë, për të njëjtat efekte që shihen në Gjermani sot. Ishim injoruar me arsyetimin se kriza është e njëjtë nëpër Evropë. E njëjtë është kjo krizë – natyrisht – por masat që kanë ndërmarrë e po ndërmarrin qeveritë evropiane janë të ndryshme. Asnjëra nga to nuk vështron për të mosvepruar si kjo e Kosovës.”, ka shkruar ai.