Çmimet e larta të ushqimeve, e bëjnë Qeverinë ta merr këtë vendim

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se deri në fillim të muajit gusht do të përgatisë projektligjin për mbrojtjen e furnizimin me produktet themelore.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky projektligj ka për qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga vendosja e çmimeve të papërballueshme.

“Po përditësojmë agjendën legjislative që të hartojmë rregulla, të cilat do ta mbrojnë qytetarin nga vendosja e çmimeve të papërballueshme në sigurimin e furnizimit të ushqimit në produktet bazë. Për të adresuar gjendjen e krijuar në treg është e pashmangshme që projektligji për mbrojtjen e furnizimit me produktet themelore të hartohet sa më parë, konkretisht deri në fillim të muajit gusht, natyrisht të këtij viti”, ka thënë Kurti.

Kujtojmë se Qeveria tashmë është duke vendosur çmimin tavan për produktet e naftës, ku për çdo 24 orë publikon çmimin maksimal të lejuar për shitjen e derivateve.