KEDS’i ia ka borxh 50 deri 60 milionë euro KEK’ut

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu ku po raporton para Komisionit për Ekonomi, tha se ky vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike është paraparë të jetë në fuqi nga 1 shkurt 2022 deri më 1 mars të vitit 2023.

Megjithatë, ai shprehi keqardhje për rritjen e çmimit të energjisë elektrike që prekin kategoritë sociale dhe pensionale.

“Nuk jemi të lumtur për këtë propozim të ngritjes së çmimit. E kuptoj, se shumë kategori sociale dhe pensionale nuk mund t’i përballojnë as çmimet aktuale të rrymës”, tha ai.

Fejzullahu më tej theksoi se KEDS-i ia ka borxh 50 deri 60 milionë euro Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK)

Ai po ashtu duke iu përgjigjur deputetëve të opozitës tha as një shkronjë nuk e ka shkruar Qeveria në raportin e ZRrE për tarifat e reja. Teksa shtoi se qeveria nuk ka asnjë ndikim tek ZRRE-ja.

Partia Socialdemokrate(PSD) në një konferencë për medie tha se qytetarëve të Kosovës iu ka kushtuar rreth 200 milionë euro kompensimi i humbjeve të KEDS-it dhe KESCO-s. Kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, tha se KEDS nuk i ka paguar KEK-ut rrymën e prodhuar që nga shtatori i vitit të kaluar, ndërsa KESCO ka obligime edhe ndaj KOSTT-it.

Molliqaj akuzoi menaxhmentin e ri të KEK-ut dhe Qeverinë e Kosovës se e kanë mbajtur të fshehtë borxhin që i kanë të dy kompanitë private të dy kompanive publike. Sipas tij, nga mesi i shtatorit deri këtë muaj KEDS dhe KESCO i detyrohen KEK-ut rreth 61 milionë euro.