Çmimi i naftës do të ulet, Qeveria pritet të marrë një vendim

Qeveria e Kosovës pritet që të marrë vendim lidhur me përcaktimin e mënyrës së rregullimit të çmimeve të derivateve. Parashikohet se çmimi do të ulëte deri në 12 centë.

Çmimi i naftës dhe benzinës pritet që të ulet ditëve në vijim.

Në vendimin që do ta marrë Qeveria e Kosovës këto ditë, thuhet se do kufizohet fitimi për litër të derivateve.

“Pritet që 2-3 centë do të jetë fitimi për një litër naftë për shitësit me shumicë, ndërsa 6-10 centë do të jetë fitimi për litër për shitësit me pakicë. Ndërsa 10 centë për litër do të jetë fitimi për shitje me pakicë për subjektet që nuk janë importuese”, thuhet ndër të tjera në këtë vendim.

Vendimi parashihet të jetë për një periudhë 90 ditore dhe se çmimi më këtë vendim është propozuar që çmimi i naftës të zbritet 10 deri 12 centë.

Këtë të mërkurë, çmimi i naftës Kosovë arriti në nivele rekorde, duke shkuar në 1.92 euro.

Ndryshe, pasi çmimet e derivateve në vend arritën në nivel rekord, ka reaguar edhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Nga kjo Ministri kanë thënë se janë duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës “që do të mbrojnë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit”.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës që do të mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit. Ligji i ri i naftës parasheh që Qeveria të nxjerrë akt nënligjor për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse”, thuhet në njoftim.

Sipas MINT, vendimmarrja pritet të ndodhë shpejt. Thonë se drafti tashmë është gati dhe se po punohet që të procedohet sa më shpejt për miratim në Qeveri.

“MINT ka përgatitur tashmë draftin dhe po zhvillon konsultimet në mënyrë intensive me hisedarë, në mënyrë që sa më parë ta procedojë për miratim në qeveri. Vendimmarrja pritet të ndodhë shpejt. Në ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po vazhdon monitorimin e tregut”.

Më 31 maj 2022 ka skaduar vendimi i Qeverisë së Kosovës që ua kufizonte çmimet shitëse maksimale për shitjen me shumicë e pakicë të derivateve të naftës.

Mungesa e kontrollit nga shteti po krijon hapësirë për abuzime te tregtarët, duke i ngritur çmimet disa herë brenda ditës.

Demokracia.com të martën i ka dërguar pyetje Qeverisë së Kosovës lidhur me ndonjë vendim të ardhshëm, por nuk ka marrë përgjigje.