Çollaku: Jemi në fazën e dorëzimit të turpshëm të Kurtit, do të detyrohet ta themelojë Asociacionin

Bashkimi Evropian vazhdon të mbajë në fuqi sanksionet që i ka vendosur ndaj Kosovës.

Këto sanksione erdhën pas eskalimit të situatës në veri të vendit, ku kryetarët e zgjedhur hynë në objektet komunale me ndihmën e policisë.

Por vetëm pas disa jave, saktësisht më 12 korrik Qeveria e Kosovës ra dakord me Bashkimin Evropian në disa pika për shtensionimin në veri.

Dakordimi Kosovë-BE erdhi në një takim joformal të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në Bratislavë, shkruan Front Online.

Për këto veprime që janë ndërmarrë, për Front Online ka folur ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku.

Çollaku për marrëveshjen për shtensionim në veri: Strategjia e Qeverisë për zgjedhjet në veri, katastrofale

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku ka thënë për Front Online se Qeveria e Albin Kuritt ka bërë gabime të një pas njëshme në dialog.

Sipas tij, rezultat i këtyre gabimeve është edhe marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit me të cilën Kosova ka bërë shumë koncesione dhe nuk ka fituar njohjen reciproke nga Serbia.

Deklaron se Kurti ka zgjedhur vet që ta tensionoj situatën në veri të vendit.

“Kryeministri Kurti duke qenë i vetëdijshëm për këto gabime tepër të dëmshme, ka zgjedhur që të tensionoj situatën në veri të Kosovës, në mënyrë që të luaj me ndjenjat patriotike të qytetarëve tanë, dhe gjithashtu të prolongoj zbatimin e marrëveshjes së dëmshme, respektivisht themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kurti ia ka arritur këtyre dy qëllimeve të cilat shkojnë në favorin e tij personal, mirëpo kjo qasje ka sjellë dëme të mëdha për Kosovën dhe qytetarët e saj. Si rrjedhojë e këtyre gabimeve, Kosova është ndëshkuar dhe ndodhet nën sanksione të vendosura nga BE-ja”, ka thënë ai.

Çollaku, pohon se tashmë jemi në fazën e dorëzimit të turpshëm të Albin Kurtit.

“Tani pas gjithë këtij kaosi dhe si pasoj e presionit, Kurti është dorëzuar dhe është në proces të përmbushjeve të kushteve të vendosura nga BE-ja për de-eskalim dhe rimbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të vendit. Pra tani jemi në fazën e dorëzimit të turpshëm të Kurtit”, është shprehur ai për Front Online.

Ndërsa, kur është pyetur se a ka qenë e nevojshme që përsëri të shkohet në zgjedhje në veri të vendit, ai ka dhënë këtë përgjigje.

“Koha po dëshmon se strategjia e qeverisë për zgjedhje atje ka qenë katastrofale, dhe vetëm ka sjellë dëme dhe pasoja të rënda për Kosovën të cilat është vështirë të riparohen”, ka shtuar ish-ministri Çollaku.

Çollaku: Nëse sanksionet mbesin në fuqi, pasojat për Kosovën janë shkatërruese

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku ka folur edhe për sanksionet që BE-ja i ka vendosur Kosovës.

Ai, thotë se kushti themelor për heqjen e tyre është rishpallja dhe rimbajtja e zgjedhjeve në veri.

Sipas tij, nëse këto kushte mbesin në fuqi, pasojat për Kosovën janë shkatërruese.

“Heqja e sanksioneve është e kushtëzuar nga BE-ja me plotësimin e kushteve të bëra publike. Kushti themelor është rishpallja dhe rimbajtja e zgjedhjeve të parakohshme lokale në katër komunat në veri të vendit. Se a do të përmbushet ky kusht, mbetet të presim veprimet e qeverisë. Pasojat e sanksioneve janë shkatërruese për Kosovën në rast se atë do të mbesin në fuqi kohë të gjatë. Kosova rrezikon të humb qindra milion euro nga ndihmat financiare të BE-së dhe dhjetëra projekte tjera të financuara nga BE-ja, në rast se nuk pezullohen sanksionet”, ka deklaruar Çollaku për Front Online.

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane: Kurti do të jetë i detyruar ta themelojë Asociacionin, dorëheqja do ta shpëtojë nga ky fat

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të detyrohet ta themelojë Asociacionin.

Kështu, ka thënë për Front Online ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku.

Çollaku beson se vetëm dorëheqja do të mund ta shpëtojë Kurtin nga ky fat.

“Nuk di se çfarë do të bëj Kurti, dhe kam frikë se as ai vet nuk e di se çfarë do të bëj. Por një gjë është e sigurt, Kurti do të jetë i detyruar ta themeloj asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe kjo do mbetet trashëgimia e vetme politike e tij. Vetëm dorëheqja eventuale mund ta shpëtoj atë nga ky fat”, ka thënë ai.

Çollaku për përgjimet e Kusari-Lilës: Janë skandal

Javë më parë në media janë publikuar disa audio-incizime të shefes së GP-së të partisë në pushtet, Mimoza Kusari-Lilës dhe Slavko Simiqit të Listës Serbe.

Lidhur me këtë ish-ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku, ka thënë se këto janë skandali i radhës e kësaj qeverie.

Sipas tij, këto dëshmojnë ndikimin që kanë elementet kriminale që kontrollohen nga Serbia në vendimmarrjen tonë shtetërore.

“Përgjimet janë skandali i radhës që dëshmon për bashkëpunimin dhe koordinimin e qeverisë Kurti me elementë kriminale që kontrollojnë listën Serbe në Kosovë. Këto përgjime dëshmojnë se sa e brishtë është siguria e jonë kombëtare dhe çfarë ndikimi kanë elementet kriminale që kontrollohen nga Serbia në vendimmarrjen tonë shtetërore. Dorëheqja do të ishte një akt i padiskutueshem fillestar, ndërsa organet përgjegjëse të sundimit të ligjit duhet ti zhvillojnë hetimet e tyre të thella për këtë rast dhe të gjitha skandalet tjera”, ka deklaruar ai për Front Online.

Çollaku: Qeveria Kurti më e korruptuara deri më tani

Qeveria e Albin Kurtit është më e korruptuara deri më tani në Kosovë.

Kështu, po vlerëson ish-ministri i Integrimeve Evropian, Bekim Çollaku.

Sipas tij, interesi shtetëror i Kosovës është dëmtuar në mënyrë të pariparueshme.

“Qeveria Kurti po dëshmon çdo ditë e më shumë se është qeveria më e korruptuara në Kosovë. Dëshmia më e mirë e këtij konstatimi, janë skandalet e përditshme. Mua nuk më e intereson sa është dëmtuar regjimi i partisë në pushtet nga këto skandale korruptive. Mua dhe qytetarëve të Kosovës na intereson vetëm interesi shtetëror i cili është dëmtuar në mënyrë të pariparueshme si rrjedhojë e këtyre skandaleve”, është shprehur Çollaku, për Front Online.

Çollaku: Roli i presidentes i dobët, diplomacia në kolaps total

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane për Front Online ka folur edhe për punën e presidentes Osmani, të kryeministrit Kurti dhe për diplomacinë kosovare.

Për rolin e presidentes Vjsoa Osmani ka thënë se është shumë i dobët.

“Roli i saj është tepër tepër i dobët. Performanca e saj është shumë e dobët në ruajtjen e unitetit të popullit dhe mbrojtjen e interesave tona shtetërore”, ka shtuar ai.

Kurse, për Albin Kurtin ka thënë se qeveria e tij do të mbahet mend vetëm për sanksione të vendosura nga BE-ja.

“Qeverisja më dobët dhe me më së paku projekte kapitale të realizuara. Kjo qeveri do të mbahet në mend gjatë vetëm për sanksionet e vendosura nga BE-ja dhe skandalet e shumta korruptive”, është shprehur Çollaku.

Ndërsa, për diplomaci ka pohuar se është pothuajse në kolaps total.

“Fatkeqësisht, shteti ynë është duke vuajtur nga mungesa e qeverisjes së mirë. Si pasoj, edhe diplomacia pothuajse është në kolaps total. Kosova është nën sanksione dhe as që mund të bëhet fjalë për suksese në arenën ndërkombëtare”, ka deklaruar ish-ministri Çollaku.