Dalin rezulatet përfundimtare në Serbi: Shqiptarët me tre deputetë në Parlament

Shqiptarët e Luginës së Preshëves tashmë zyrtarisht do të përfaqësohen nga tre deputetë në Parlamentin e Serbisë.

Ish kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi ka njoftuar se pas shpalljeve zyrtare të rezultateve ‘ADSH- Lugina e Bashkuar’ do të ketë tre deputetë në Parlament.

“Tre mandate për deputet të siguruara tashmë nga “ADSH- Lugina e Bashkuar”, si rezultat i një bashkëpunimi të partive shqiptare me Tiranën dhe përkrahjes së Prishtinës. Ngritje e fuqisë politike të shqiptarëve që duhet materializuar në ndërtimin e strategjisë së përbashkët”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Kujtojmë, që Partitë politike shqiptare në Luginën e Preshevës vendosën që në zgjedhjet parlamentare të 21 qershorit që mbajti Serbia, të garonin me një listë të unifikuar zgjedhore.

Kurorëzimi i angazhimeve të ministrit të jashtëm shqiptar Gent Cakaj ishte arritur me nënshkrimin e marrëveshjes për koalicionin parlamentar nga pesë subjekte, PVD, APN, PD, LPD dhe LRPDSH.