Darka me Vuçiqin, Uk Lushi: Kjo darkë e Kurtit me ish-ministrin e Millosheviqit është më keq se darkë e gabuar

Aktivisti shqiptar në SHBA njëherësh ish- luftëtari i UÇK-së nga Batalioni Atlantiku, Uk Lushi ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin pas darkës joformale me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Përmes një postimi në Facebook, Lushi ka thënë se kjo darkë e Kurtit me ish-ministrin e Millosheviqit, Vuçiqin është më keq se darkë e gabuar.

Ai ka thënë se sarka tête-à-tête e Albin Kurtit me Presidentin e Serbisë, në praninë e një sllovaku, por pa praninë e së pakut një shqiptari në darkën në Berlin, është devijim i palejueshëm kundrejt institucioneve dhe reprezentimit kolektiv të shtetit të Kosovës dhe kombit shqiptar, duke shtuar se Albin Kurti për kësi rastesh të tjerët do t’i akuzonte për tradhti.

Postimi i plotë:

Darka tête-à-tête e Albin Kurtit me Presidentin e Serbisë, në praninë e një sllovaku por pa praninë e sëpakut një apo edhe më shumë shqiptarëve tjerë në darkën në Berlin, është devijim i palejueshëm kundrejt institucioneve dhe reprezentimit kolektiv të shtetit të Kosovës dhe kombit shqiptar. Albin Kurti për kësi rastesh të tjerët do t’i akuzonte për tradhëti.

Asnjë individ nuk guxon të takohet apo flasë individualisht, qoftë ai individ edhe kryeministër, me Serbinë pa prani të shqiptarëve dhe përfaqësuesve tjerë shtetëror si dëshmitarë.

Kjo darkë e Kurtit me ish-ministrin e Millosheviqit Vuçiq është më keq se darkë e gabuar. Asnjë indvid vetëm nuk mund flet dhe as mund na përfaqëson vetëm. Kurti nuk duhet të lejohet të bëjë kësi shkelje kurrë më dhe urgjentisht duhet të raportojë në Kuvendin e Kosovës.