DASh ripërsëritë thirrjen ndaj Serbisë: Lironi tre policët kosovarë

Departamenti i Shtetit ka ripërsëritur thirrjen ndaj Serbisë që t’i lirojë menjëherë tre zyrtarët policorë kosovarë që po mbahen në Serbi.

Në një përgjigje për “Zërin e Amerikës”, DASh ka deklaruar se ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian janë shumë të qartë në pritshmëritë që kanë nga të dyja palët.

“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin menjëherë hapa konkret për deeskalimin e tensioneve. Kjo përfshin lirimin e pakusht të tre zyrtarëve policorë që po mbahen në Serbi. Të dyja palët duhet të ndjekin planin e propozuar nga BE-ja dhe të rikthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja pa vonesa.” – thuhet në përgjigjen e tyre.

Ky reagim, vjen pas zhvillimeve të sotme, ku kryediplomati evropian, Josep Borell u shpreh i alarmuar me arrestimin e një personi në veri dhe aktivitetin e FSK-së në Mitrovicën e Jugut.

“Shumë i alarmuar nga situata në veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të djeshëm të menaxhimit të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë.” – ka shkruar ai.