Deliu-Kodra i reagon Dugollit të VV’së: Ky fjalor ushqehet nga Albin Kurti, kjo është e paprecedent

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra i ka reaguar deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Enver Dugolli i cili doli kundër ambasadës së SHBA’ve për çështjen e shkarkimit të Bordit të RTK’së.

Deliu-Kodra në postimin e saj thotë se diskursi konfliktuoz i LVV’së me SHBA’të është i paprecedentë.

Sipas saj, ky diskurs është në kundërshtim me faktin se SHBA’të janë aleati strategjik i Kosovës dhe i ka quajtur jo të rastësishme kundërshtimet e VV’së.

Ajo është shprehur se ndihet keq si deputete kur një koleg i saj i tregon SHBA’ve se çfarë është sovraniteti i shtetit të Kosovës.

Deliu – Kodra ka thënë se është e turpshme të flitet kështu me SHBA’të, si vend që kanë mbështetur luftën, shpalljen e pavarësisë dhe vazhdon ta mbështesë edhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.

“Për fatin tonë të keq, ky fjalor ushqehet nga kryetari i saj Albin Kurti, i cili në shumë raste nuk ka hezituar të bëjë deklarime të rënda. Vetëvendosje dhe kryetari i saj, duhet t’i thërrasin zërit të arsyes, e ta ruajnë si sytë e ballit miqësinë dhe partneritetin me SHBA’të.”, ka shkruar Deliu-Kodra.

Ky është postimi i saj i plotë:

Diskursi konfliktuoz i Lëvizjes Vetëvendosje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i paprecedentë.
Për më tepër ky diskurs është në kundërshtim të plotë me faktin e pamohueshëm se SHBA’të janë aleati strategjik i shtetit tonë.

Kundërshtimet e Vetëvendosjes nuk janë të rastësishme dhe as nuk vijnë nga zyrtarët e parëndësishëm të kësaj partie. Si deputete e Kuvendit të Kosovës, ndihem keq se si një koleg i yni i tregon SHBA’ve se çka është sovraniteti i shtetit të Kosovës. Më së paku, është e turpshme të flasësh kështu me SHBA’të, një vend që ka mbështetur luftën e Kosovës për liri, shpalljen e Pavarësisë dhe vazhdon ta mbështes konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Për fatin tonë të keq, ky fjalor ushqehet nga kryetari i saj Albin Kurti, i cili në shumë raste nuk ka hezituar të bëjë deklarime të rënda.

Vetëvendosje dhe kryetari i saj, duhet t’i thërrasin zërit të arsyes, e ta ruajnë si sytë e ballit miqësinë dhe partneritetin me SHBA’të.