Deliu-Kodra: Nga njohja në qendër tash kemi Asociacionin në qendër

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, thotë se kanë kërkuar raportim të kryeministrit, Albin Kurti, në Kuvend pasi është e nevojshme që të diskutohet pas takimit të tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

“Konsiderojmë që është e nevojshme që të flasim me kryeministrin, të shohim pikëvështrimin e tij në raport me marrëveshjen që është pranuar në Bruksel dhe ajo që kemi parë është një karakterizim ndryshe i zotëri Kurtit që kam pasur ta shoh ndër vite”, u shpreh Deliu-Kodra.

Deliu-Kodra, në Info Magazine në Klan Kosova, tha se Kurti sot po bënte përpjekje që plani evropian të lexohet me qetësi dhe të mos ketë ndonjë dëm në raportet me Serbinë.

“Sot po bënte përpjekje që marrëveshja të lexohej me qetësi dhe që të kemi reflektim që të mos pengojmë ose të mos bëjmë ndonjë dëm sa i përket raporteve tona me Serbinë”.

Madje, Deliu-Kodra konsideron se nga njohja në qendër në marrëveshje me Serbinë tash ka Asociacion në qendër.

“Por, ai si opozitarë ju printe protestave me qindra mijëra protestues që kërkonte që të mos ketë Asociacion. Shqetësim për neve është që në dakordimet që kanë ndodhur mes Kurtit e Vuçiqit në Bruksel prej kërkesave dhe negociatave me njohje në qendre kemi arritur që ta kemi Asociacionin në qendër. Në këtë dokument nuk ka qartësi për njohjen në qendër” tha Deliu-Kodra.