Deliu- Kodra: PDK-ja do të kërkojë zgjedhje sapo të ketë rënie të të prekurve me Covid-19

Deputetja Blerta Deliu-Kodra ka thënë se PDK-ja nuk do të kërkojë zgjedhje të reja gjatë pandemisë, për shkak të situatës me rritjen e të prekurve me COVID-19, porse me rënien e numrit do të angazhohet për këtë.

“PDK-ja e ka thënë që për ne është shumë i rëndësishëm shëndeti i qytetarëve të Republikës së Kosovës. Sapo të ketë rënie të nivelit të infeksionit në Kosovë, ne do të angazhohemi që të ketë sa më parë zgjedhje për ta kthyer legjitimitetin te qytetari i Kosovës”, tha ajo.

Deliu – Kodra përjashton çdo mundësi për zgjedhje në kohën kur vendi po përballet me koronavirusin.

“E kemi thënë se në fazë të pandemisë nuk do të kërkojmë zgjedhje. Kemi votuar edhe rishikimin e buxhetit, pikërisht për të forcuar përkrahjen tonë si parti opozitare për të mos bllokuar këtë proces, sepse Kosova gjendet në një fazë të rëndë dhe qytetarët nuk e meritojnë”, shtoi ajo.

Deliu-Kodra e cila vjen nga radhët e PDK-së shton se dy qeveritë e fundit nuk kanë arritur t’ua japin atë që ua kanë premtuar qytetarëve, ndryshimin e madh.

“Kemi qartësuar pozicionin tonë si PDK sa u përket zgjedhjeve. Jemi subjekt opozitar dhe natyrisht se secili subjekt opozitar kërkon zgjedhje. E kemi thënë dhe po e saktësojmë se dy qeveri të cilat janë bërë bashkë dikur dhe kanë proklamuar qeverinë e shpresës, kanë zhvatur vullnetin e qytetarëve, kanë gënjyer dhe kanë manipuluar vullnetin e qytetarëve të dhënë me votë-mbështetje për ta. Kanë dëshmuar se marrëveshjet e tyre s’kanë qenë marrëveshje parimore dhe kanë dëshmuar se nuk janë partnerë, të cilët meritojnë të qeverisin me përkrahjen e qytetarëve të Kosovës. Prandaj ky besim i qytetarëve nuk do kthehet në përkrahje për ta. Qytetarët, fatkeqësisht nuk kanë arritur të sigurojnë asgjë nga dy qeveritë, të cilat kanë proklamuar ndryshimin e madh”, u shpreh Deliu – Kodra në “Interaktiv” të KTV-së.