Demanton Gucati: Asnjë marrëveshje me asnjë avokat turk nuk është në plan të bëhet nesër

Një lajm që ka qarkulluar gjatë ditës së sotme nëpër media ku thuhej se “Nesër pritet që midis organizatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe disa avokatëve nga Turqia, të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi për mbrojtjen e të ftuarve nga Gjykata Speciale. Detaje nga kjo marrëveshje do të bëhen publike gjatë ditës së nesërme”, del të jetë plotësisht i pa vërtetë.

Në një prononcim për “Bota Sot”, kryetari i Veteranëve të Kosovës (OVL-UÇK) Hysni Gucati ka hedhur poshtë pohimin se nesër pritet të nënshkruhet ndonjë marrëveshje me ndonjë grup avokatësh turq, ai ka thënë se nuk është në dijeni për ndonjë marrëveshje sa i përket OVL-UÇK, dhe gjithkush që flet në emër të kësaj organizate për ndonjë marrëveshje të tillë, është një e pavërtetë e madhe.

“Me përgjegjësinë më të madhe të kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ju them se organizata jonë as nuk ka nënshkruar, e as nuk do të nënshkruaj kurrfarë marrëveshje me kurrfarë avokati turk. Mund të ketë ndonjë organizatë lokale, ndonjë matrapaz i cili dëshiron të bëjë ndonjë punë kokë më vete, por një gjë e tillë në mënyrë kategorike është e pa vërtetë”, ka thënë Gucati.